Kukësi kryelartë, Skënderbeu një penallti larg grupeve… (original) (raw)
Ishte “akti” i fundit i një përfaqësimi tejet dinjitoz, historik madje për skuadrat shqiptare në Kupat e Europës, sepse misioni nuk vazhdon dot më tej. Kukësi dhe Skënderbeu duhet t’i kthejnë sytë tashmë nga kampionati kombëtar, që starton këtë fundjavë, sepse nuk kanë arritur të kualifikohen në fazën e grupeve pas sfidave të kthimit të “play-off”-it me Trabzonsporin turk dhe Cernomorets Odesa të Ukrainës. Pritshmëritë në letër nuk ishin dhe aq të mëdha, pas humbjeve të ndeshjeve të para, sidomos për verilindorët, që janë mundur edhe në kthim 3-1 dhe largohen me nder nga Liga e Europës si debutues, ku kaluan tre ture dhe shkruan emrin e tyre në histori. Skënderbeu ka fituar 1-0 në kthim, ka besuar gjatë e plot ankth te prekja e “ylberit”, por fati s’i ka buzëqeshur në fund. Ekipi korcar ka zhvilluar një ndeshje dramatike, 120 minuta mjaft kompetitive përballë Cernomorets, por nuk është shpërblyer në fund nga penalltitë. Radas, Orelesi dhe Nimaga kanë cuar dëm tërë mundin dhe djersën e madhe të shokëve të skuadrës, teksa kanë ekzekutuar dobët nga pika e bardhë. Tri penallti të humbura nga korcarët përkundrejt dy të tillave nga ukrainasit, kanë kuualifikuar për në fazën e grupeve Cernomorets Odesa. 120 minuita lojë, kohë e rregullt dhe dy shtesat me nga 15 minuta, kanë përfunduar me rezultatin 1-0, falë golit të shënuar nga Andi Ribaj në minutën e 20-të. Kjo do të thoshte se rezultati i përgjithshëm ishte 1-1, ndaj nevojitej gjuajtja e penalltive, një “ruletë ruse”, prej nga kanë dalë triumfatorë ukrainasit. Një ëndërr e këputur në pikën e bardhë, sepse Skënderbeu ishte vetëm 11-metra larg historisë, marrjes pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, dicka që do të ndodhte për herë të parë në historinë e klubeve tona.
Skënderbeu, 11-metra larg historisë
SKENDERBEU-CERNOMORETS 1-0 (6-7 pen)
Golat: Ribaj 19′
SKENDERBEU:Shehi, Arapi, Ademir (Bicaj 84′), Radaš, Gvozdenović, Orelesi, Muzaka (Nimaga 85′), Lilaj, Morina (Abazi 74′), Shkembi, Ribaj. Trajner: M.Josa
CERNOMORETS: Berger, Fontanello, Anderson Mineiro, Kutas, K.Kovalchuk, Gai, Riera (Leo 36′), Samodin, Dja Djedje (Priyomov 79′), Antonov (Didenko110′). Trajner: R.Grigorçuk
Gjyqtarë: A.Mateu. P.Cebrián, J.Núnez (Spanjë)
Kartonë të verdhë: Radas 49′, Lilaj 60′, Nimaga 90′ / Antonov 89′
Penalltitë: 6-7
Skënderbeu: Shkëmbi +, Radaš -, Ribaj +, Shehi +, Gvozdenović +, Bicaj +, Lilaj +, Orelesi -, Nimaga –
Cernomorets: Didenko +, Fontanello +, Kutas +, Gai +, Leo -, Samodin +, Anderson Mineiro +, Kovalchuk -, Priyomov +
Skënderbeu ka qenë më pranë se cilado skuadër tjetër shqiptare fazës së grupeve të Ligës së Europës. Ishin vetëm 11 metra ato që në fund “peshuan” më së shumti nga ukrainasit, kjo edhe falë pritjeve të portierit Bezotosni. Nuk bëri më pak homologu i tij shqiptar, Shehi, i cili ashtu si në ndeshjen e parë u bë protagonist me pritjet e tija, duke shpëtuar disa herë portën nga gola të sigurt. Heroik Orelesi (edhe pse humbi një penallti), i palodhur dhe një barrierë e pakalueshme në mesfushën korçare. I saktë Ribaj, i cili ishte edhe autori i atij goli që u dha shpresë gjithë shqiptarëve deri në ruletin e penalltive. Në pak fjalë, ishte një Skënderbe që përfaqësoi në mënyrën më të mirë futbollin shqiptar, pavarësisht fatit të keq, që i takoi nigerianit Nimaga ta ndiente më tepër, përderisa ishte ai që gaboi te penalltia e fundit. Nëse Skënderbeu arrinte të kualifikohej në fazën në grupe, atëherë do të niste një kapitull i ri historik në futbollin tonë.
Formacioni – Sa i takon formacionit që kishte menduar të hidhte në fushën e lojës trajneri i Skënderbeut, kishte Pero Pejiç, mungesën e vetme e të madhe, që u ndie në repartin ofensiv. Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe këtë herë kroati nuk pati mundësi të jepte kontributin (i pezulluar pas kartonit të kuq në Skënderbeu-Shakhter). Sakaq, Josa hodhi në fushë një formacion ofensiv, me synimin për të dalë te goli sa më shpejt. Muzaka, Morina dhe Ribaj ishin futbollistët nga të cilët pritet goli. Fieraku ia doli në minutën e 20-të, por nuk ka “peshën” për të kompensuar mungesën e gjigantit Pero Pejiç. Trajneri bardhekuq luajti me dy sulmues të mirëfilltë, në ndryshim nga takimi i parë. Me rikthimin e Shkëmbit, Lilaj luajti paksa më i spostuar në të djathtë të mesfushës, duke ardhur kështu në ndihmë të manovrës sulmuese.
Goli – Takimi nisi vrullshëm, por me të dyja skuadrat që shikonin jo vetëm që të shënonin, por edhe të mos pësonin. Të parët që shikojnë nga porta janë vendësit me Samodin, por rastin më të mirë e ka Shkëmbi, pas një goditjeje nga 30 metra. Ky ishte edhe sinjali se Skënderbeu kishte hyrë në fushë si i barabartë dhe për ta fituar. Kështu, në minutën e 19-të mjaftoi një pasim tejet i zgjuar i Orelesit, i cili nxori të vetëm Ribajn përballë portierit për të gjetur rrugën e rrjetës, 1-0 dhe korçarët tani besojnë më shumë te kualifikimi. Por vetëm 4 minuta më vonë, një mosmarrëveshje mes Gvozdenoviç dhe Shehit mund të sillte edhe barazimin. Mbrojtësi kthen me kokë një top pas, portieri në vështirësi arrin ta prekë, madje u fut gati me top brenda në portë, por për fatin e mirë arbitri nuk ishte në gjendje për të akorduar gol për miqtë. Skënderbeu kalon këtë moment delikat dhe në minutat në vazhdim shtyn lojën më së shumti në gjysmëfushën e Odesës. Shkëmbi, ndonëse vjen nga një dëmtim, arrin të organizojë disa sulme, teksa e ka të vështirë si Muzaka nga e majta (një nga më të dobëtit në fushë) dhe Lilaj nga e djathta që të marrin krahët.
Penalltitë – Edhe pjesa e dytë foli për Skënderbeun, i cili në pjesën më të madhe të kohës qarkulloi topin duke rrezikuar shpeshherë edhe portën kundërshtare. Ribaj, Morina por edhe Abazi patën disa raste të bukura, të cilat nuk u shfrytëzuan si duhet Pas 90 minutash, gjithçka është e barabartë (Odesa kishte fituar ndeshjen e parë 1-0), ndaj skuadrat i drejtohen shtesës. Duket qartë që lojtarët janë të lodhur, aq sa mungojnë edhe raste për shënim në të dyja fraksionet e shtesave. Duket sikur edhe miqtë shikojnë nga penalltitë, të cilat zgjatën më shumë nga sa parashikohej. Kur gaboi Radas e Orelesi ishte Shehi që rikuperonte, por në fund gabimi i Nimagës nuk u reflektua njëlloj dhe Prijomov, i cili gjuajti penalltinë e fundit, arriti të shënojë duke shuar ëndrrën e Skënderbeut për në Europë.
FLASIN TRAJNERET
Josa: Prisja më shumë nga Muzaka
Ka pa dyshim një meritë të padisku tueshme në suksesin e deritanishëm të korçarëve, por në fund, ashtu si tifozët bardhekuq, trajneri Mirel Josa është parë mjaft i dëshpëruar. Në intervistën e dhënë për mediat, ai ka folur mbi paraqitjen e ekipit të tij, si dhe mangësitë që shfaqi në takimin e “play-off”- it ndaj ukrainasve të Çernomoretsit.
11-metërshat janë edhe çështje fati. Megjithatë, ç’mund të na thoni për lojën e Skënderbeut?
Mund t’ju them se kemi bërë një lojë të mirë, sidomos në pjesën e parë të takimit, kur edhe arritëm të shënonim golin e fitores. Në gjysmën e pjesës së dytë u detyrova të bëja disa zhvendosje të detyruara në skemën e lojës, pasi u dëmtuan dy lojtarë. Gjithashtu Muzaka nuk ishte në formën e tij më të mirë, ndaj ishim të detyruar që në raste të veçanta edhe të mbroheshim. Çernomoretsi luajti me të njëjtët futbollistë si në ndeshjen e parë dhe pati disa raste të mira për të shënuar. Deri diku mund t’ju them se e njihnim lojën e kundërshtarëve dhe arritëm t’u bënim ballë edhe në minutat shtesë, duke ndryshuar edhe skemën nga 4-4- 2 në 4-4-1-1. Gjithsesi, te 11- metërshat lojtarët e mi u treguan të mrekullueshëm dhe bënë më të mirën e tyre, pasi aty nuk mund të bësh parashikime, futbolli është i tillë dhe nuk mund të bësh asgjë më shumë.
Profesor, në momentin e caktimit të lojtarëve që do të gjuanin nga pika e bardhë, Orelesi refuzoi. Përse ai u caktua të godiste?
Vendosa kështu, pasi nuk kisha më futbollistë dhe Orelesi kishte më shumë eksperiencë nga ata që kishim mbetur. Kisha vetëm një lojtar më shumë, që ishte Abazi, por ai nuk gjuajti dhe një gjë të tillë e bëri Nimaga. Nuk mund të them asgjë për lojtarët e mi, veçse t’i komplimentoj dhe t’i uroj një rrugë të mbarë në Kategorinë Superiore. Për sa i përket Çernomoretsit, mendoj se lojtarët shqiptarë (Bakaj dhe Vangjeli) mund t’i japin shumë këtij ekipi, pasi janë vërtet cilësorë. Tani gjithçka mbaroi dhe ndeshja e parë e kampionatit është shumë afër.
Çfarë do të ndryshojë te Skënderbeu?
Nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të punoj me lojtarët e mi, nga ana psikologjike, pasi nga ajo sportive të gjithë e pamë se kemi bërë një paraqitje të mirë. Fakti që nuk kemi qenë në aktivitet na ka penalizuar disi, pasi Çernomoretsi është në mesin e kampionatit dhe ne ende nuk e kemi nisur atë.
Do të kishte ndonjë ndryshim nëse ndeshja do të ishte luajtur në Korçë dhe jo në Tiranë?
Mendoj se do t’u kishte dhuruar më shumë kënaqësi të gjithë qytetarëve të atjeshëm dhe stadiumi do të ishte i mbushur jashtë kapacitetit të tij.
“Shqiptarët s’i diskriminova, vendim personal”
Tekniku i Çernomorets shprehet mjaft i kënaqur për kualifikimin, të cilin e cilëson si mjaft të vështirë. “Ishte hapi i fundit për skuadrën tonë që të shkonim në fazën në grupe të “Europa League”. Ne jemi shumë të lumtur që e bëmë të mundur këtë kualifikim. Kjo nuk ishte aspak sfidë e lehtë për ne. Falënderoj të gjithë stafin, lojtarët, presidencën që më ndihmuan, që të bënim realitet këtë ëndërr tonën. Kjo ndeshje ishte një finale për ne, pra arriti edhe deri te penalltitë. Ne gjuajtëm disa herë derisa fati na buzëqeshi më në fund. Mund të them se kam pasur ndeshje të tjera, ku fati varej nga penalltitë, por jo si kjo e sotmja (mbrëmë), pasi gjithçka ishte në limit. Mendoj se penalltia shkoi deri te 11- metërshat, pasi ne bëmë shumë gabime në lojën tonë sidomos në pjesën e parë”, – thotë fillimisht tekniku ukrainas. Më pas, i pyetur për lënien jashtë 18-shes të dy shqiptarëve, ai pohon: “Ishte vendimi im, të cilin nuk e komentoj. Bakaj dhe Vangjeli janë një figurë e rëndësishme për ne. Nuk ka arsye se janë shqiptarë, por ishte thjesht një vendim i imi”.
FLASIN LOJTARET
Ribaj: Zoti nuk donte të kualifikoheshim
Andi Ribaj, vetëm në 3 ndeshje të aktivizuara arrin të bëjë për 100 minuta të ëndërrojë Skënderbeun për të kaluar në fazën në grupe. Por, sipas Andit, Zoti nuk donte që Skënderbeu të kualifikohej më tej. Pas takimit, 23-vjeçari që luan në sulm, thotë: “Jam shumë i gëzuar që çova ekipin tim deri te penalltitë. Vetëm në tri ndeshje ku kam luajtur me Skënderbeun, arrita të bëj këtë gjë, më vonë shpresoj të bëj edhe më shumë. Tashmë neve na duhet të shohim përpara për të ndjekur rrugën e kampionatit. Duhet të paraqitemi më mirë që të arrijmë sërish në këtë stad ku ishim sot (dje),- thotë fillimisht Ribaj. Më pas, i pyetur për golin dhe dëshirën për kualifikim, lojtari deklaron: “Donim të hynim në historinë e futbollit shqiptar, por gjithçka na mbeti peng. Kur shënova golin, parandieja se do të shënonim dhe një gol të dytë, por kaq ishte e shkruar për ne. Çdo gjë është me fat”,- shprehet sulmuesi. Më pas, ai nuk harron të thurë lavde për Shehin, ku thotë: “E dinë të gjithë çfarë vlerash ka Shehi, ndaj kjo që bëri sot (dje) ishte maksimumi i tij. Bëri tri pritje, por fati nuk ishte me ne. Zoti nuk donte që ne të kalonim në raundin në grupe. Ndërsa golin ia dedikoj familjes sime, si dhe gjyshes që ka disa muaj që nuk jeton, pa harruar dhe të dashurën”,- përfundon futbollisti vlonjat, që në kampionatin tonë ka luajtur për Apoloninë dhe gjatë merkatos së verës u transferua te Skënderbeu.
Orelesi e Nimaga: Nuk donim të gjuanim
Skënderbeu skualifikohet nga penalltitë, duke mos bërë të mundur realitet ëndrrën e tyre, por gjithashtu dhe të gjithë shqiptarëve që kërkonin një kualifikim të tillë pas shumë vitesh histori futbolli. Nuredin Orelesi, i cili edhe pse ishte më i miri në 120 minuta lojë, këtë gjë nuk e shfaqi në gjuajtjen e 11- metërshit. Nigeriani thekson se ishte i pafat në këtë rast dhe se Shehi i ktheu për një moment buzëqeshjen. “U ndjeva mjaft keq që humba penalltinë në atë moment. M’u duk sikur gjithçka përfundoi, por kur Shehi priti unë u gëzova jashtë mase dhe nata m’u bë ditë. Ishim të pafat, pasi përsëri humbëm, por ky është futbolli. Ne jemi jashtë Europa Leagues tashmë, por jeta vazhdon dhe neve na duhet të vazhdojmë”, – thotë fillimisht mesfushori, por ai preku dhe çështjen e merkatos, ku mund të largohet nga Skënderbeu. “Për sa i përket të ardhmes sime, unë do të pres se çfarë do të më thotë menaxheri im, sepse nuk kam konkretizuar diçka”, – përfundon Orelesi.
Nimaga – Ëndrra e kalimit të Skënderbeut në fazën në grupe ishte e gjitha në këmbën e tij, por sulmuesi 19- vjeçar nga Mali nuk arriti të finalizonte siç duhet. Skënderbeut tashmë i duhet ta kërkojë këtë gjë sezonin e ardhshëm, nëse do ta arrijë, sipas Nimagës. Për humbjen e 11-metërshit dhe të kualifikimit në raundin në grupe, Bakari Nimaga thotë: “Unë nuk ndjehem mirë. Ishte gjuajtja finale për Skënderbeun. Uroj të më falin për këtë. Ne luajtëm mirë, por kur shkuam te penalltitë nuk doja të gjuaja. Pashë rreth vetes, por ishte radha ime dhe gabova, pasi aty nuk realizova ëndrrën jo vetëm të klubit, por të të gjithë mbështetësve të Skënderbeut dhe të të gjithë shqiptarëve që e prisnin këtë kualifikim. Shpresoj që të arrijmë sezonin e ardhshëm këtë kualifikim. Do ta dëshiroja shumë, sepse sot (dje) i shkuam shumë pranë dhe nuk e bëmë të mundur realitet ëndrrën tonë”, – përfundon Nimaga, i cili e ndien mjaft skualifikimin, pasi ishte i fundit që gjuajti 11-metërshin nga radhët e Skënderbeut.
Bakaj: Llogari trajnerit për mosaktivizimin
Priti të aktivizohej që nga minuta e parë në ndeshjen e djeshme, por nuk ishte as në 18-she. Mesfushori, i cili ka vetëm 5 ditë që është rikthyer nga dëmtimi, nuk luajti në sfidën e mbrëmshme, e cila do të ishte e para për të kundër një ekipi shqiptar. Elis Bakaj shprehet mjaft i irrituar për mosaktivizimin e tij në sfidën që luhej në “Qemal Stafa”, gjithashtu thekson se do t’i kërkojë shpjegime trajnerit Grigorçuk për këtë gjë. “Është një sukses i madh për skuadrën ku unë luaj. Të them të drejtën, e dinim që do të na priste një ndeshje e vështirë. Skënderbeu na vuri shumë herë në vështirësi dhe u pa qartë se edhe ata ishin mjaft afër kualifikimit. Penalltitë janë fat, por Zoti na ndihmoi. E rëndësishme është që ne tashmë jemi në fazën në grupe të Eruopa League”.
Aktivizimi – “Nuk e di pse nuk u aktivizova, u zhgënjeva shumë. E prisja me padurim këtë takim, e kam shprehur edhe më parë. Do të jepja maksimumin për të ndihmuar skuadrën ku unë luaj për shumë lloj arsyesh. Kam dhënë maksimumin gjithnjë te kjo skuadër. Unë nuk jam as i ri në këtë skuadër dhe as më pak i vogël, ndaj u zhgënjeva së tepërmi që nuk u aktivizova. Kam qenë gjatë gjithë kohës lojtari titullar. Unë kam pak kohë që kam nisur stërvitjen, por ky nuk është justifikim, sepse kam vendin tim te ky ekip. Nesër (sot) do t’i kërkoj shpjegime trajnerit. Nuk besoj se mosaktivizimi ka qenë se luanim përballë një skuadre shqiptare”.
E ardhmja – “Do të luftoj që të zë vendin tim te kjo skuadër. Më pas, me aktivizimin këtu do të kërkoj edhe vendin që më takon në ekipin kombëtar”,- përfundon mesfushori 26- vjeçar, Elis Bakaj.
VLERESIMET
Zhgënjen Muzaka, Shehi i shenjtë
Orges Shehi – Pak ditë më parë, Kristi Vangjeli tha: “Skënderbeu duhet t’i bëjë një bust Shehit”. Portieri durrsak është një hero i vërtetë, pret pa fund gjatë lojës, gjithashtu dy penallti, por edhe shënon vetë. Çfarë të bëjë më shumë një portier!
Ademir Soza – Konstant në lojën e tij. Edhe dje bëri gjithçka, por nga braziliani pritet më shumë në fazën ofensive.
Marko Radas – Kroati është bërë tashmë një qendërmbrojtës tipik, por shpesh del nga roli dhe dje një gafë e tij për pak i kushtoi golin e barazimit. I pafat nga penalltia.
Ivan Gvozdenoviç – Pozicional dhe një lojtar që rrallë gabon. Eksperienca e tij edhe dje ishte shumë e vlefshme për Skënderbeun. Arriti të kthejë në gol penalltinë.
Reanto Arapi – Nuk ishte në ditën e tij më mirë, ndonëse pritej shumë nga ky lojtar në krahun e majtë. Dëmtimi i pak javëve më parë ka ndikuar jo pak te mbrojtësi.
Bledi Shkëmbi – Kapiteni korçar u mundua të udhëhiqte skuadrën dhe këtë e bëri mirë në pjesën më të madhe të lojës, por dëmtimi e penalizoi jo pak. Shtesat u bënë të papërballueshme për të.
Gjergji Muzaka – Zhgënjimi i madh i këtij Skënderbeu. Afrimi i bujshëm dje stonoi në fushë. Edhe Josa ka rezerva për mesfushorin, që duket krejtësisht jashtë forme.
Nuredin Orelesi – Një nga lojtarët më të mirë në fushë. Pasoi mrekullisht te Ribaj në golin e vetëm dhe luftoi pa fund. Penalltia e humbur nuk ia prish paraqitjen e mirë që bëri.
Sabjen Lilaj – Lufton pa fund në fushë, por këtë herë në pozicionin e ri, i postuar pak më djathtas në repartin e mesfushës, nuk u duk shumë. Gjithsesi, i vlefshëm për ekipin.
Mario Morina – Duket sikur nuk është stabilizuar ende te Skënderbeu. Edhe dje nuk ishte në një ditë të mirë.
Andi Ribaj – Sulmuesi fierak mbajti në lojë Skënderbeun me golin që shënoi. Në një farë mënyre zëvendësoi denjësisht mungesën e Pero Pejiç. Paraqitja e tij mund të quhet mbresëlënëse, teksa ka vetëm tri ndeshje që luan për skuadrën korçare.
Bici, Abazi, Nimaga – I pari nuk gaboi në asnjë rast për minutat që luajti, ndërsa shënoi edhe nga pika e bardhë. Kosovari dhe afrikani u vërejtën në fushë, teksa ky i fundit humbi edhe 11-metërsh.
Tifozët kundër klubit, gjysma mbetën në Korçë
Një pjesë e mirë e tifozëve të skuadrës së Skënderbeut janë irrituar dje me organizimin e bërë nga klubi. Edhe pse u tha që për mbështetësit e skuadrës do të viheshin në dispozicion më shumë se 20 autobusë falas nga Korça për në Tiranë, mësohet se një gjë e tillë nuk ka ndodhur. “Turp për organizatorët që caktoi klubi për transportin. U premtua transport pa limit, por nuk erdhën më shumë se 8 autobusë duke lënë para stadiumit me mijëra tifozë që prisnin. Do të ishte më mirë të mos premtonin asgjë, se kështu ata mijëra tifozë do kishin gjetur një mënyrë tjetër transporti. U premtuan edhe bileta falas, por vetëm 100 të tilla u shpërndanë. Ku përfunduan të tjerat? Kërkojmë nga shefi i klubit përgjigje zyrtare për këtë problem dhe për këtë turp që u bë ndaj tifozëve korçarë. Do e rihapim sërish këtë temë. Ky është një turp! Sot (dje) jemi të përqendruar te suksesi i skuadrës, por mos kërkoni stadium plot dhe tifozë kur ofendoni në këtë mënyrë një popull”, – shkruanin dje tifozët bardhekuq në faqen zyrtare të tyre në “Facebook”. Sakaq, mësohet se me urdhër të drejtuesve të klubit, dje janë hapur edhe portat e stadiumit dhe shumë tifozë që ishin në Tiranë kanë hyrë falas për të ndjekur ndeshjen e Skënderbeut. Ndërkohë, para takimit, vetëm presidenti Ardian Takja ka pasur një takim me një grup të tifozëve, të cilëve u ka kërkuar që të mos krijonin probleme, të mos hidhnin fishekzjarrë apo sende të forta në fushë, pasi në të kundërt skuadra do të dënohej sërish me gjobë nga UEFA.
Shehi, probleme me fanellën
Paraditen e djeshme, drejtuesit e klubit korçar janë detyruar të zgjidhin edhe çështjen e fanellës së portierit, Orges Shehi. Dy uniformat e këtij të fundit, përkatësisht ngjyrë e kuqe dhe portokalli, nuk janë pranuar nga delegatët e UEFA-s, duke qenë se kishin përafërsi në ngjyrë me fanellën e portierit të Çernomoretsit. Drejtuesit kanë parë si zgjidhje alternative t’i jepnin “gardianit” një fanellë të bardhë, por ky i fundit nuk ka pranuar. Më pas është gjetur konsensusi që futbollisti të luante me fanellë jeshile, ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Uniforma e Shehit është blerë gjatë ditës dhe është stampuar për pak orë, në mënyrë që të ishte e gatshme në momentin që portieri do të vinte në stadium. Duket se supersticioziteti i Shehit për të luajtur me fanellën e tij nuk ka ndikuar shumë në takimin e djeshëm, pasi, në mungesë të saj, ai ka arritur të bëjë një paraqitje të shkëlqyer.Ukrainasit përplasen me policinë
Rreth 30 tifozë të Çernomoretsit kanë qenë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”, megjithatë nuk kanë arritur të mbështesin përgjatë gjithë takimit ekipin e tyre. Kjo për shkak se në momentin që janë futur në stadium, kanë pasur një konflikt me uniformat blu, të cilët janë parë të shoqërojnë një prej ultrasve ukrainas në gjendje të mirë dhe të ngrenë pothuajse në krahë një tjetër, i cili ishte në gjendje më të rëndë. Mësohet se ultrasit e ardhur në Tiranë kishin qenë në gjendje të dehur dhe, për pasojë, janë shoqëruar nga policia e kryeqytetit. Përveç të shoqëruarve që kanë dalë jashtë stadiumit, tifozët e mbetur kanë shijuar nga afër takimin.Korçarët bëjnë analizat e anti-dopingut
Pas ndeshjes me Çernomoretsin, ku Skënderbeu është eliminuar pas goditjeve nga pika e bardhë, dy prej futbollistëve korçarë u janë nënshtruar analizave të anti-dopingut, që janë të zakonshme në përfundim të takimeve të tilla. Njëri prej të testuarve ka qenë kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ndërsa identiteti i futbollistit tjetër nuk është bërë i ditur. Përzgjedhja e lojtarëve për të kryer këto analiza ka qenë e rastësishme. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë sinjal që futbollistët shqiptarë të kenë përdorur substanca të ndaluara si në ndeshjet e Kupave të Europës, ashtu edhe në takimet kombëtare të cilat janë testuar nga institucionet ndërkombëtare të kontrollit.Skënderbeu humbi 1.3 milionë euro
Minimalisht një milion e treqind mijë euro. Kjo është shifra që do merrte Skënderbeu në rast se do të hynte në fazën e grupeve. Pra, bëhet fjalë për të ardhurat që vijnë nga qeveria e futbollit europian, në bazë të formatit të ndarjes së parave për Ligën e Europës për edicionin 2013- 2014. Një shumë e tillë do të shtonte ndjeshëm të ardhurat e korçarëve, kjo edhe për faktin se asnjë klub shqiptar nuk harxhon më shumë sesa 1.3 milionë euro (madje edhe më pak) në një sezon të plotë në Superiore.
LEONARD KARAJ / ARMAND HALILI / ERJON HAMITAJ
Humbje me nder, Kukësi eliminohet nga turqit
TRABZONSPOR-KUKESI 3-1 (2-0)
Golat : Paulo Henrique 14′, 64′, Maluda 54′ / Popovic 11′TRABZONSPORI: Onur Kıvrak, Aykut Demir, Giray Kaçar, Yusuf Erdoğan (Batuhan 60′), Zeki Yavru, Mierzejewski (Alanzinho 77′), Malouda (Abdülkadir 87′), Zokora, Aykut Akgün, Olcan Adın, Paulo Henrique. Trajner: M.Aktcai
KUKESI: Halili, Brahja, Smajlaj, Hallaçi, Malota, Progni, Allmuça (Cikalleshi 68′), Karabeci, Musolli, Popović, Hoxha (Manuka 60′). Trajner: A.Cungu
Gjyqtarë: Libor Kovarik, Kristof Menkel, Juri Molaçek (Çeki)
Kartonë të verdhë: Batuhan Karadeniz 83′ / Popovic 77′
Kukësi humbet sërish ndaj turqve dhe vulos eliminimin nga Liga e Europës, por nuk turpërohet në stadiumin “Husein Avni Aker” të Trabzonit. Edhe pse pësoi tre gola, ekipi i Armando Cungut bëri një paraqitje të bukur, duke i vënë jo pak në vështirësi turqit, veçanërisht gjatë 45 minutave të para. Goli i Lazar Popoviç habiti edhe vetë stafin e Kukësit, duke ndezur shpresën për një mrekulli, mirëpo nuk kaluan as 3 minuta nga avantazhi i skuadrës shqiptare dhe Trabzonspori vendosi baraspeshën. Përmes një loje sulmuese dhe hapësirave të lëna nga turqit, Kukësi mund dhe duhet të kishte përfituar më shumë. Megjithatë, yjet e Trabzonsporit bënë atë që nuk bëri dot ekipi shqiptar. Gabimet e mbrojtjes kuksiane u shfrytëzuan në maksimum nga kundërshtari. Pas fitores në “Qemal Stafa” 2-0 dhe dje në shifrat 3-1 në shtëpi, turqit tashmë e shikojnë veten në fazën e grupeve të Ligës së Europës. Nga ana tjetër, pas njoftimit të fundit të UEFA-s, Kukësi ka edhe një shans, por duhet që të ketë shumë fat për t’u përzgjedhur ajo mes skuadrave të eliminuara që do të vazhdojë garën. Ky “nder” bëhet pas dënimit të klubit turk, Fenerbahçe.
Pjesa e parë Trajneri Cungu kishte bërë pak ndryshime në krahasim me ndeshjen e parë. Lëvizja e vetme ishte ajo e aktivizimit të Dritan Smajlit në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe uljes në stol të Roland Peqinit. Starti është i ekuilibruar, edhe pse turqit kërkojnë të marrin iniciativën. Kukësi funksionon për mrekulli në mesfushë, teksa Allmuça e Karabeci i japin frymëmarrje skuadrës. Loja është e hapur, ndërkohë që Trabzonspori për pak sa kalon në avantazh pas një hutimi të mbrojtësve kuksiane. Gjithsesi, menjëherë pas këtij momenti, skuadra shqiptare përfiton në maksimum nga një gafë e turqve. Popoviç del i vetëm përballë portierit dhe nuk fal. Kukësi nis të shpresojë te një përmbysje madhështore, por një pakujdesi e mbrojtjes e ndëshkon në momentin më të mirë. Pas një goditjeje nga këndi, turqit arrijnë të shënojnë. Barazimi sikur u pret gjunjët lojtarëve shqiptarë, por gjithsesi duke mos pasur çfarë të humbin dhe jashtë presionit, në minutat në vijim loja e tyre është e bukur. Karabeci është në një ditë të shkëlqyer, teksa jo vetëm godet portën, por qarkullon topin dhe bëhet iniciator i manovrës sulmuese. Megjithatë, lojtarët e krahut nuk janë në gjendjen e tyre më të mirë. Pjesa e parë mbyllet pas një goditjeje spektakolare të polakut Mierzejevski, që grushtohet mrekullisht nga portieri Halili.
Pjesa e dytë Loja rinis me të njëjtat formacione për të dyja skuadrat. Pas tetë minutash nga fillimi i fraksionit të dytë, një kundërsulm i Kukësit për pak sa kthehet në një supergol. Hallaçi i jep një top të bukur Prognit, që bën gjithçka mirë deri afër portës dhe në momentin final hedh në “erë” gjithçka. Si për ironi të fatit, menjëherë pas këtij rasti të artë, turqit nuk falin, duke kaluar në avantazh. Sulmuesi Henrike jep një asist për francezin Maluda dhe ky i fundit me një kthesë të bukur brenda zonës mposht Halilin. Pas 10 minutash është braziliani i sulmit, Paulo Henrike, që merr një asist nga Mierzejevski dhe nuk fal përballë portierit. Cungu kryen dy ndërrime të shpejta, duke kërkuar të freskojë lojën me Manukën e Cikalleshin. Ky i fundit përpiqet të bëjë diçka, por veprimet teknike të tij nuk mjaftojnë. Skuadrat pajtohen me rezultatin dhe gjithçka mbyllet 3-1 për Trabzonsporin. Gjithsesi, përtej eliminimit, për Kukësin ky edicion do të mbahet mend gjatë, teksa në petkun e debutuesit arriti të kalojë tri ture, si asnjë skuadër tjetër shqiptare.
Cungu: Kukësi im do të kujtohet gjatë
Armando Cungu vlerëson para qitjen e skuadrës së tij në ndeshjen e kthimit, por ka edhe rezerva për gjykimin e çekut Libor Kovarik. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes, trajneri i Kukësit deklaroi ndër të tjera se ekipi që drejton, do të kujtohet gjatë në futbollin shqiptar. Cungu e cilësoi këtë edicion si kulmin e klubeve shqiptare në Europë. “Për mua ishte një mbyllje me dinjitet. Edhe pse humbëm, treguam se kemi një skuadër me vlera dhe mund të ballafaqohemi si të barabartë. Unë mendoj se ky është kulmi i futbollit shqiptar, jo vetëm i Kukësit. Sot (dje) pamë një ndeshje të mirë, teksa kishim më shumë mundësi se sfida e parë. Unë nuk dua t’i gjykoj arbitrat, por goli i parë i turqve duhet të ishte anuluar, pasi lojtari që shënoi, ishte në pozicion jashtë loje. Ky ishte një moment shumë i dyshimtë, ndërsa goli i dytë që pësuam, ishte më tepër një aksident. Arritja më e madhe ishte se luajtëm më mirë se në Tiranë. Në shumë momente ne ishim të barabartë në fushë, teksa arritëm të kalonim në avantazh ndaj një ekipi të madh, në një stadium të jashtëzakonshëm. Meritë kanë të gjithë, jo vetëm për këtë ndeshje, por edhe për ecurinë e deritanishme. Dua të falënderoj pa përjashtim çdo përfaqësues të klubit dhe të gjithë ata që na kanë mbështetur në këtë verë të jashtëzakonshme. Kjo që bëmë ne do të mbetet gjatë në kujtesën e tifozëve, ndoshta për dekada të tëra”, – ka thënë Cungu.
Vlerësimi I pyetur nga gazetarët turk për Trabzonsporin, trajneri shkodran nuk i kurseu elozhet. “Ne e dinim se do ta kishim shumë më të vështirë ndeshjen e kthimit. Trabzonspori ka një skuadër me kualitete. Unë mendoj se ky ekip ka për të ecur përpara në grupet e Ligës së Europës. Për ne kjo ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. I uroj sukses Trabzonsporit”, – shtoi kreu i pankinës së Kukësit. Ndërkohë, për “Panorama Sport” Cungu theksoi pas ndeshjes se tashmë është koha që ai dhe skuadra e tij të mendojnë menjëherë për kampionatin. “Nuk kemi luksin të pushojmë, pasi menjëherë duhet të mendojmë për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Lushnjës. Synimet për këtë sezon janë të mëdha, kështu që duhet ta nisim mbarë kampionatin. Është shumë e rëndësishme të ruajmë ritmin. Nuk do ta kemi aspak të lehtë, pasi duhet t’u kushtojmë vëmendjen e duhur kundërshtarëve”, – përfundoi Cungu, i cili me arritjen në krye të Kukësit është trajneri më i suksesshëm shqiptar në ndeshjet ndërkombëtare.
Starova: Bëmë historinë, Kukësi mbetet një legjendë
Drejtori teknik i Kukësit, Sulejman Starova, e ka vlerësuar në maksimum paraqitjen e skuadrës në përballjen e djeshme ndaj Trabzonsporit. Edhe pse ekipi verior u eliminua, për Starovën lojtarët bënë një superndeshje. “Mendoj se djemtë dhanë maksimumin e tyre. Luajtën mirë dhe të motivuar për të arritur diçka në këtë takim. Ëndrrën tonë e ndërpreu një kundërshtar i kalibrit të Trabzonsporit dhe për këtë ne nuk duhet të kemi keqardhje, pavarësisht se ndoshta i kishim mundësitë për të bërë edhe pak më shumë. Megjithatë, ne ndërpremë një rrugë të suksesshme në Ligën e Europës, për çka jemi të gjithë krenarë. Kukësi është një legjendë tashmë dhe do të mbahet mend për shumë vite. Arritja që bëmë është historike, kështu që nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’i përgëzoj lojtarët për suksesin e madh. Askush nuk e mendonte se do të arrinim deri këtu, por në sajë të një angazhimi të madh dhe punës së palodhur të të gjithëve, bëmë atë që s’e ka bërë askush për shumë dekada”, – është shprehur Starova, i cili pritet të rinovojë marrëveshjen me presidentin Gjici për të qenë edhe një sezon në postin e drejtorit teknik. “Tashmë duhet të mendojmë për kampionatin, por ndoshta fati është me ne dhe jemi një nga skuadrat që UEFA do përzgjedhë për të vazhduar në grupet e Ligës së Europës pas penalizimit të Fenerbahçes. Të shpresojmë se do të ndodhë kështu”, – ka përfunduar Starova.
Trajneri turk: Patëm probleme në lojë
Trajneri i Trabzonsporit, Mustafa Akçai, në konferencën për shtyp vlerësoi Kukësin, ndërkohë që nuk kurseu kritikat për gjendjen e disa lojtarëve. “Në përgjithësi ne kemi luajtur mirë, por përballë patëm një kundërshtar që na bëri rezistencë. Gjatë lojës patëm problemet tona, madje gabuam jo pak edhe në mbrojtje. Disa lojtarë nuk kanë gjendjen e duhur fizike, por megjithatë ky ishte një test i vlefshëm. Luajtëm dy takime ndaj Kukësit dhe morëm rezultatin që dëshironim. E rëndësishme është që vazhdojmë të fitojmë dhe tashmë duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet tona për të pasur sa më shumë suksese në Ligën e Europës. Më vjen mirë që Maluda u rikthye me gol, gjithashtu jam i kënaqur për formën që po tregon Henrike”, – është shprehu kreu i pankinës turke.
Gjici: Meritojmë të jemi në grupe
“Nëse do të luanim edhe në Tiranë si në ndeshjen e kthimit, isha i bindur që të paktën do të fitonim, për të mos thënë se mund të kualifikoheshim”. Kështu e ka nisur prononcimin për “Panorama Sport”, menjëherë pas përfundimit të takimit, presidenti i Kukësit, Safet. Ai është krenar që skuadra ka arritur të kalojë tri ture, por edhe i ndërgjegjshëm se mundësitë për të kaluar Trabzonsporin ishin të pakta. “E them me bindje se, po të ishte bërë kjo lojë edhe në Tiranë, ne do ta kishim fituar ndeshjen. Kam thënë që Trabzonspori nuk duhej marrë me frikë, pasi kishim mundësi për të fituar. Bëmë disa gabime, të cilat duhet t’i evitonim në këtë ndeshje të kthimit. Megjithatë, kjo paraqitje tregoi se Kukësi ka vlera të jashtëzakonshme edhe përballë kundërshtarëve kaq të fortë. Ne arritëm të kalonim tri ture dhe ky është një sukses i paparë. Patëm një rrugë të gjatë dhe të mbushur me emocione dhe fitore. Gjithsesi, unë kam edhe një shpresë të fundit. Pas vendimit që mori UEFA, mendoj se meritojmë të jemi skuadra që do të futet në grupe, si pasojë e pezullimit të Fenerbahçes. Personalisht jam me fat dhe uroj të jetë Kukësi.
Halili: Do jemi ne kampionët
Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Hasan Halili, këtë herë ka shoqëruar skuadrën në Turqi. Përpara lojtarëve ai premtoi se institucioni që drejton, do të jetë afër klubit. “Ju garantoj se do të ketë bashkëpunim dhe vazhdimësi me donatorët. Unë do të jem pranë futbollit dhe nuk do të ketë asnjë problem. Gjithçka ka ndodhur i përket së shkuarës. Kukësi do të jetë kampion”, – ka thënë Halili para futbollistëve. Ndërkohë, pak javë më parë nuk munguan polemikat, madje edhe thashethemet për një largim të presidentit Gjici, por gjithçka u sheshua me kalimin e ditëve. Tashmë drejtuesit janë të gjithë bashkë për një Kukës kampion.
Popoviç: Goli në Turqi, një sukses i madh për mua
Sulmuesi serb Lazar Popoviç dje ka qenë një ndër lojtarët më të mirë në fushë për Kukësin. Jo vetëm se arriti të shënonte golin e vetëm të skuadrës veriore, por ka mbajtur gjatë gjithë 90 minutave në ankth mbrojtjen e Trabzonsporit. Pas ndeshjes, në prononcimin për “Panorama Sport”, sulmuesi u shpreh i lumtur që arriti të shënonte një gol kundër skuadrës turke. “Goli im nuk vlejti, por jam i gëzuar që arrita të shënoja në këtë takim. Nuk është pak të kalosh në avantazh ndaj Trabzonsporit që në minutat e parë, madje në një stadium me atë tifozeri të çmendur. Do ta quaja sukses jo vetëm për mua, por për gjithë ekipin faktin që arritëm të shënonim në ndeshjen e kthimit. Keqardhja e vetme është takimi i parë në Tiranë”, – deklaroi serbi i Kukësit. Pritet që sulmuesit t’i ofrohet rinovimi i kontratës nga klubi.
Nga i dërguari ynë në Turqi, JONUZ HALLAÇI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"