Orgest Gava shpall “divorcin” me Lushnjën, drejt rikthimit tek Elbasani (original) (raw)
Postuar: Maj 17, 2018 | 22:30
Mesfushori qendror, Orgest Gava, nuk do të qëndrojë te Lushnja për sezonin e ardhshëm. Me përfundimin e kontratës në fund të muajit, mesfushori 28-vjeçar do të largohet nga stadiumi “Roza Haxhiu”. Lajmin e konfirmoi vetë futbollisti elbasanas për gazetën “Panorama Sport” duke u shprehur: “Kam vendosur të largohem me gjithë respektin që kam për ekipin dhe qytetin e Lushnjës”, ka deklaruar mesfushori Gava.
Sezoni te Lushnja nuk shkoi dhe aq mirë, në një skuadër që ishte faktor në kampionat deri në përfundimin e dy fazave. “Ky sezon kishte të mirat dhe të këqijat e veta. Bëmë maksimumin me kushtet që kishim. Me dëmtimet e lojtarëve dhe me ndërrimet e trajnerëve. Më vjen keq që nuk mblodhëm më shumë pikë që të ishim në garë deri në fund”, komentoi Gava. Mesfushori 28- vjeçar nuk do të luajë në ndeshjet e mbetura me Teutën dhe me Luftëtarin duke u shpjeguar: “Në këto dy ndeshje të fundit nuk do të luaj sepse dua t’iu hap rrugë lojtarëve të rinj, që do të jenë për vitin tjetër.
Do të vij të përshëndetem me ekipin, patjetër”, tha Gava. Rikthimi i Elbasanit në Kategorinë e Parë mund të jetë një alternativë që mesfushori të rikthehet me verdheblutë. Aty ku trajneri Mirel Josa e aktivizoi në moshë të re, ndërsa ish-trajneri Bushati e grumbulloi me U-21 të Shqipërisë. Alternativa mbeten edhe Bylisi me Tomorin që do të organizohen për të pretenduar elitën. “Do të shoh një herë ofertat që do të kem.
Nëse do të ketë një projekt serioz për ngjitjen e ekipit të Elbasanit në Superiore, do të pranoja me kënaqësi, sepse unë dua të rri pranë familjes. Ofertat e tjera do t’i pres me kënaqësi, por vetëm një projekt serioz më bind. Gjithsesi, është herët akoma për të menduar”, përfundoi mesfushori Gava prononcimin për gazetën.
Një sezon luajti te Lushnja mesfushori Orgest Gava. Ai regjistroi një autogol në ndeshjen premierë me Vllazninë dhe një gol në ndeshjen e dytë me Flamurtarin. Përveç Lushnjës, Gava ka luajtur më parë me Elbasanin, Shkumbinin dhe Bylisin.
ALBAN ALUSHI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"