Enveri: Për tradhti të lartë, Balluku, Dume e Çako në gjyq ushtarak! (original) (raw)
Arkivat e KQ të PPSH, 1974. Nga procesverbali i mbledhjes së Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH, 16-17 dhjetor 1974 . Enver Hoxha bën konkluzionet e punimeve të Plenumit për zbulimin, dënimin dhe eliminimin e veprimtarisë "armiqësore" e "puçiste" në Ushtri, duke dhënë përfundimisht dhe pretencën për gjeneralët Balluku, Dume, Çako, Përllaku etj.
(Vijon nga numri i kaluar)
Në përfundim të konkluzioneve të tij e përfundimin e punimeve të Plenumit të 6-të të Komitetit Qendror të PPSH (16-17 dhjetor 1974), pasi provon e argumenton në detaje skenarin e gjeneralëve "puçistë", Enver Hoxha ripohon përfundimisht ndëshkimin ekstrem për gjeneralët: Përjashtimin nga Komiteti Qendror, nga Partia, e dhënien gjyqit për tradhti të lartë ndaj Atdheut. Referuar procesverbalit të këtij aktivi dhe dokumenteve të tjera zyrtare të kohës, pretenca e Enver Hoxhës në këtë Plenum për Ballukun, Dumen, Çakon, është e njëjtë me atë të gjyqit formal të drejtësisë që i dënoi me pushkatim.
(Vazhdojnë konkluzionet e Enver Hoxhës)
Po pse e dha Pertrit Dumja Ballukun?
1. U ndodh ngushtë. Petrit Dumja mendoi se Byroja Politike ose kish marrë vesh ç'kishin bërë këta prapa krahëve të saj, ose do ta zbulonte. Atëherë, ai mendoi "t'i dalë përpara punës", "të akuzojë Beqir Ballukun, ta fusë thellë dhe, me këtë rast, ta heqë e t'i zërë vendin". Petrit Dumja mendoi se nuk mund të thoshte dot më, se me Beqir Ballukun ishin "stil e metoda" zënka personale etj. Kundërshtimet që kish me të, që të besoheshin nga ne, ai i "kthen këto në kontradikta parimore". Beqir Balluku nuk e priste këtë sulm nga krahët, por e dinte që "me Petrit Dumen ishim dakord që më parë", prandaj u revoltua.
Petrit Dumja dhe Hito Çako e shtjelluan sulmin. Beqir Balluku u përpoq të mbrohej, por nuk kundërsulmoi mbi Pertrit Dumen dhe mbi Hito Çakon. Pse nuk u mbrojt Beqir Balluku kundër këtyre të dyve? Pse nuk i sulmoi? Pse nuk i demaskoi ata? Shpjegimi është se ai "mbronte një çështje më të madhe, një plan sekret më të rëndësishëm", për të cilin ishin në dijeni që të tre. Që të tre e mbajnë fshehtë, dy prej tyre u ngritën dhe goditën njërin, Beqir Ballukun, duke e djegur këtë. Beqir Balluku u sakrifikua, pse nga analiza që po bëhej më ushtri, Beqir Balluku del një tradhtar. Beqir Balluku u njihte këtyre dhëmbë e dhëmballë. Atëherë pse nuk i demaskoi? Pse heshti? Ai totalisht heshti në ato momente, me gjithë kërcënimin që i bëri Petrit Dumes: "Kësaj çështjeje Komiteti Qendror t'i shkojë deri në fund".
2. Petrit Dumja dhe Hito Çako e dogjën Beqir Ballukun për të shpëtuar kokën, për ta hequr qafe, për t'i zënë vendin. Ç'do bënin këta? Atë punë që kishin filluar të bënin që të tre, por këtë herë në mënyrë më aktive. Petrit Dumja dhe Hito Çako kishin menduar që puçin dhe komplotin ta zhvillonin më tej. Beqir Balluku për ta ishte shumë i nxituar, pse ata i njihnin mirë bisedimet që bënin mes tyre, se Beqir Balluku rrezikonte "puçin", mund të zbulohej, prandaj edhe e dogjën.
Petrit Dumja dhe Hito Çako mendonin, me siguri, se "pozitat e tyre" në ushtri dhe karshi nesh "ishin më të forta" se ato të Beqir Ballukut, se për ta poshtërsitë që po bënin çdo ditë në ushtri dhe në Organizatën e saj të Partisë, do të mbaheshin të fshehta, se ishin "gjëra" të normuara të parëndësishme për ta dhe "s'kish asnjë rrezik nga ajo anë". Ashtu siç nuk llogarisnin forcën e partisë dhe e gjithë partia mendonin se ishte në gjumë.
"Lodra" e tyre nuk vazhdoi më shumë se një muaj a dy. Tradhtinë e tyre ne e diskutuam që pas Plenumit të Komitetit Qendror, që pas takimit të parë të ushtrisë, që u bë për këtë punë, por i lamë të futeshin më thellë në "euforinë", pastaj t'u thyenim kokën.
Historia e njerëzimit, që nga kohërat më të lashta e deri më sot, historia e çfarëdo revolucioni, nuk ka parë një gjyq tradhtarësh si ky që po i bëhet në Shqipërinë socialiste këtij grupi tradhtarësh, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Petrit Dumes dhe shokëve të tyre. Gjyqi vazhdon prej 6 muajsh, i hapët për të gjithë popullin. Deponimet kundër tyre, që formojnë akuza, janë me dhjetëra e me dhjetëra mijë. Të tërë të akuzuarit kanë qenë të lirë dhe jo të arrestuar, dhe janë ballafaquar me punonjësit, bile ata qëndronin edhe në funksionet që kishin. Masat e gjera të Partisë, të Ushtrisë, të popullit, me një hov revolucionar të paparë ndonjëherë, bënë vetë edhe rolin e hetuesit, edhe të prokurorit, edhe të gjykatësit. E gjithë Partia, Ushtria dhe populli vendosën njëzëri dënimin e tyre. Mbi ta rëndojnë shumë akuza që formojnë krime ndaj Partisë dhe popullit.
Këta të tre: Beqir Balluku, Hito Çako dhe Petrit Dumja, në krye të Rrahman Përllaku, të Sadik Bekteshit etj., organizuan një fraksion të rrezikshëm në kokë të Partisë dhe në krye të ushtrisë, për të goditur vijën e drejtë marksiste-leniniste të Partisë, për të rrëzuar Komitetin Qendror marksist-leninist të Partisë dhe për ta shndërruar Partinë, në një parti revizioniste. Ata, për t'i arritur këtij qëllimi:
a. U orvatën të dobësonin Organizatën e Partisë në Ushtri, duke dobësuar dhe shtrembëruar parimet marksiste-leniniste normat dhe ligjet e Partisë.
b. I imponuan partisë në Ushtri normat më të këqija antimarksiste ushtarake, borgjeze, komandimin ushtarak, disiplinën ushtarake, të identifikuar me arrogancën dhe me potencën.
c. Dobësuan vigjilencën e Partisë dhe futën frikën në kuadrot dhe komunistët, për t'i mbajtur të nënshtruar.
ç. Eliminuan gati krejt mësimet në bazë të materialeve revizioniste sovjetike. Pra, bënë përpjekje të hapta që të zëvendësonin marksizëm-leninizmin me revizionizmin.
2. Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dumja dhe të tjerët:
a. Sabotuan edukimin ushtarak të Ushtrisë Popullore. Ata udhëhiqeshin në këtë vepër armiqësore nga teoria revizioniste sovjetike. Që të tre injoruan dhe përçmuan Luftën Nacionalçlirimtare dhe eksperiencën e saj. Ata ishin kundër dhe sabotuan Letrën e Hapur të Komitetit Qendror të Partisë drejtuar Ushtrisë, sabotuan Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, hodhën në shportë Tezat mbi Shkollën e Lirë Ushtarake.
b. Ata krijuan ndarjen ne mes të kuadrove dhe masës së ushtrisë, krijuan ndarjen në mes të kuadrove të lartë nga njëra anë dhe kuadrove të mesme e të ulëta nga ana tjetër, krijuan kasta me privilegje të dënueshme për disa kuadro të lartë.
c. Ata vendosën në ushtri metoda të urryera komandimi, vendosën arrogancën, prepotencën, shkonin drejt likuidimit të drejtimit të ushtrisë nga Partia dhe drejt vendosjes së pushkës në drejtim të Partisë.
ç. Ata kanë sabotuar programet ushtarake dhe ndërtimin e fortifikimit të vendit.
d. Ata përgatisnin në fshehtësi antiteza, në kundërshtim me Tezat e Këshillit te Mbrojtjes.
Të gjitha këto kishin për qëllim:
3. Të dobësonin dhe të zhduknin rolin e Partisë në Ushtri, të dobësonin Ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit, të përgatisnin një forcë goditëse fashiste, për të zhvilluar një puç kundër Partisë së Punës së Shqipërisë, për të goditur pushtetin popullor, për t'i përgatitur terrenin një invadimi sovjetik ose ndonjë fuqie tjetër armike të jashtme, të shkatërronin diktaturën e proletariatit, të vendosnin në vendin tonë diktaturën borgjeze-fashiste dhe të restauronin kapitalizmin.
Për të gjitha këto faje dhe krime të rënda, edhe një herë shprehem plotësisht dakord me vendimet e drejta që miratoi Plenumi, që Hito Çako dhe Petrit Dumja të përjashtohen nga Komiteti Qendror dhe nga Partia, t'u hiqet imuniteti parlamentar dhe që të katër: Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dumja dhe Rrahman Përllaku, të arrestohen dhe si tradhtarë të kalojnë para një gjykate speciale ushtarake.
Për fajtorët e tjerë në këtë çështje shprehem, gjithashtu, plotësisht dakord që:
Të përjashtohet nga Komiteti Qendror nga Partia dhe Ushtria, Sadik Bekteshi.
Të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe Partia, Halim Ramohito.
Të përjashtohet nga Komiteti Qendror, Dilaver Poçi.
T'i jepet vërejtje e rëndë me shënim në Kartën e Regjistrimit, Veli Llakajt.
(Fund)
Kush ishte Hito Çako
-U lind më 3 mars 1923, në Progonat të Kurveleshit.
-Mbaron arsimin e mesëm në Sarandë, ku punon si shegert deri në fillim të Luftës.
-Rreshtohet që në fillimet e para me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ku më 28.05.1944 arrin në detyrën e Komisarit të Brigadës së 5-të.
-Më 9 maj 1945, Çako emërohet Komandant i Divizionit të Parë, detyrë të cilën e kryen deri më 15.08.1945
-Duke qenë në detyrat më të larta në krye të ushtrisë, gjenerali Hito Çako mbaron tre Akademi Ushtarake, përkatësisht atë "Frunze" në Moskë (1950-1954), Akademinë "Voroshillov" po në Moskë (të cilën e nisi pas tre vitesh punë), e më vonë Akademinë Detare të Leningradit. Të tria këto Akademi i mbaron me rezultate të shkëlqyera.
-Grada e "Gjeneralit" i është dhënë me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor, më 15 janar 1962.
-Ka kryer detyra të tjera të larta, si titullar i Drejtorisë Politike të Ushtrisë dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, deri në dënimin si "armik".
-Më 5 dhjetor 1975, Hito Çako me dy gjeneralët e lavdishëm të luftës dhe të drejtimit të ushtrisë shqiptare, Beqir Balluku e Petrit Dume, pushkatohen dhe eshtrat e tyre futen në një varr, në një fshat të Vlorës.
-Më 18 korrik 2000, pas interesimit të familjarëve, gjenden e nxirren nga një varr i përbashkët sekret në Vranisht të Vlorës, eshtrat e tre gjeneralëve të pushkatuar.
-Hito Çakos i është dhënë titulli "Hero i Popullit".
Kush ishte Beqir Balluku
Beqir Balluku lindi më 14 shkurt 1917, në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste qysh gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Tiranë (vitet 1940 1942). Më 20 maj 1943 u caktua Komandant i Batalionit partizan "Krujë-Ishëm"; më 18 shtator 1943 u emërua Komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas Komandant i Brigadës së Dytë. Më 28 janar 1948 ishte emëruar Kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë Akademinë Ushtarake "Voroshillov". Në Kongresin e Parë të PKSH së u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1952, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të "Gjeneral Leitnantit". Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974 ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake. U dënua me vdekje dhe u pushkatua më 5 nëntor 1975, për tradhti të lartë ndaj Atdheut. Eshtrat iu gjetën në verën e vitit 2001.
Kush ishte Petrit Dume
- Petrit Dume lindi në Starje të Kolonjës dhe shkollën fillore e kreu në vendlindje. Të mesmen e la përgjysmë dhe u kthye përsëri në Kolonjë. Sapo u kthye filloi veprimtarinë me çetën e atij rrethi, pastaj u bë Komandant i Batalionit partizan "Hakmarrja".
- Pas çlirimit, Petriti shkoi për studime dhe kreu me sukses Akademinë Komando-Shtabi Gjitharmëshe në Moskë.
- Që nga vitit 1953 deri më 1974, kreu detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare.
- Në vitet 1948-1974 ka qenë deputeti i Kuvendit Popullor, në të gjitha legjislaturat.
- Në vitet 1948-1974 ka qenë anëtar i Komitetit Qendror dhe në vitet e fundit edhe kandidat i Byrosë Politike të KQ të PPSH.
- Në vitin 1974, Petrit Dume së bashku me Beqir Ballukun e Hito Çakon arrestohen si armiq të popullit, pasi mendohej se kishin në plan të rrëzonin pushtetin.
- 11 muaj pas arrestimit dhe gjykimit, vendoset që Petrit Dume, bashkë me Beqir Ballukun dhe Hito Çakon të pushkatohen.
-Më 5 dhjetor 1975, Petrit Dumes së bashku me dy gjeneralët e lavdishëm të luftës dhe të drejtimit të ushtrisë shqiptare, Beqir Balluku e Petrit Dume, pushkatohen dhe eshtrat e tyre futen në një varr, në një fshat të Vlorës.
-Më 18 korrik 2000, pas interesimit të familjarëve, gjenden e nxirren nga një varr i përbashkët sekret në Vranisht të Vlorës, eshtrat e tre gjeneralëve të pushkatuar.