Hoxha: Ja si do ta shërojmë ne Beqirin (original) (raw)

Arkiv/ Debatet në Byronë Politike të KQ të PPSH-së për aktivitetin antiparti të ushtarakëve "puçistë" në 1974, shkarkimi i Ballukut nga funksionet politike dhe zyrtare

Përballë udhëheqjes komuniste janë tre ushtarakët e lartë të akuzuar për veprimtari armiqësore dhe puçiste në ushtri. Beqir Balluku, Petrit Dume e Hito Çako janë akuzuar si bashkëpunëtorë në përgatitjen e antitezave, dobësimin e rolit udhëheqës të Partisë në ushtri, përçarjen tek udhëheqja e lartë e Partisë dhe shtetit, futjen e taktikës e strategjisë së mbrojtjes së ushtrive revizioniste ruse e kineze etj.

Pas debateve nga anëtarët e Byrosë propozohet dhe vendoset shkarkimi i Ballukut nga anëtar i Byrosë Politike, nga detyra e zëvendëskryeministrit, ministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të Këshillit të Mbrojtjes dhe në vend të tij, Enver Hoxha propozon Mehmet Shehun, të cilit do t'ia bënte të njëjtin gjyq 7 vite më pas.

(Vijon nga numri i kaluar)

Enver Hoxha (Vazhdim i diskutimit):- Ta kenë të qartë të gjithë, në ushtri e kudo, se kushdo qoftë, komandant reparti, ministër, kryeministër apo sekretar Partie, në rast se shkel vijën e Partisë duhet të kritikohet dhe po të vazhdojë të bëjë faje, që të shërohet "plaga" duhet të operohet, se kështu nuk vdes as partia, as ushtria, as socializmi në Shqipëri.

Unë jam dakord me propozimin e shokëve, që shoku Beqir nuk mund të jetë më anëtar i Byrosë Politike, natyrisht, as anëtar i Këshillit të Mbrojtjes, as zëvendëskryeministër dhe as ministër i Mbrojtjes, për arsye se veprimtaria e tij është shumë e rëndë...

Por ne dëshirojmë ta shërojmë Beqirin. Kjo dëshirë veç, realizohet duke i kuptuar ai vetë gabimet e rënda, fajin e madh që ka bërë, dhe t'i ndreqë ato.
...Për këtë arsye, i propozoj Byrosë Politike që drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes ta marrë shoku Mehmet, i cili të vazhdojë siç është, Kryeministër dhe njëkohësisht ministër i Mbrojtjes.

Ne ta ngarkojmë gjithashtu shokun Mehmet të na paraqesë propozime për disa ndihmës të përshtatshëm që duhet t'i japim, se nuk ka vetëm këtë detyrë, në radhë të parë ai është anëtar i Byrosë Politike dhe Kryetar i Këshillit të Ministrave, prandaj detyra plus që po i ngarkojmë, është një tjetër barrë e vështirë që i shtohet.

Natyrisht, ne duhet të kemi parasysh edhe shëndetin e shokut Mehmet, por si një shok organizator i shquar e këshilloj me këtë rast që si në Kryeministri dhe në Ministrinë e Mbrojtjes, të mendojë që ta organizojë punën në mënyrë që kjo ngarkesë e re të mos e dëmtojë fizikisht, përkundrazi, duke e mbajtur shëndetin kurdoherë të plotë, të kryejë edhe detyrat e reja që situatat imponojnë të zgjidhen në ushtri.

Mehmeti të lehtësohet ca nga detyra kryesore si kryetar i qeverisë, pasi tani do të ngarkohet dhe me drejtimin e ushtrisë, ju bashkëpunëtorët e tij në aparatin e Kryeministrisë, duhet të ngarkoheni një çikë më shumë, punën ta bëni më të sistemuar se deri tani, raportimet që do t'i bëni shokut Mehmet të jenë më substanciale.

Ndofta mund të bëjmë akoma dhe ndonjë ndryshim tjetër, por këtë ta shikojmë më vonë. Marrja e drejtimit të ushtrisë nga ana e Mehmetit, ka shumë rëndësi mendoj unë, nga ana e brendshme, por dhe nga ana e jashtme, për arsyen që thashë më parë, se largimi i Beqirit nga Byroja Politike dhe nga Ushtria nuk mund të mbetet pa efekte në opinionin publik.

Për të mos i dhënë këtij shkas, ne mund të përdorim disa arsye për të neutralizuar propagandën që mund të bëhet, duke e motivuar dorëheqjen e Beqirit kur të bëhet mbledhja e Kuvendit Popullor, me gjendjen e tij shëndetësore.

Por Partisë nuk mund t'i fshihet kjo masë, kësaj dhe kuadrove do t'ua themi fajet që ka bërë Beqiri dhe ta dënojnë veprimtarinë e tij, këtë, është absolutisht e nevojshme ta dinë ata. Por duke marrë parasysh se këto faje kanë të bëjnë me çështjet e Mbrojtjes, këto nuk do t'ua bëjmë të njohura të gjithë masave të popullit. Se për armiqtë, sidomos armiqtë e jashtëm, atyre nuk duhet t'u japim asnjë armë.

Unë mendoj se duke ngarkuar Mehmetin edhe me drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, do ti neutralizojmë të gjitha këto vështirësi që mund të na dalin, ndërsa ushtria do të gëzohet shumë, do të ngrihet entuziazmi i efektivave të saj, shumë herë më tepër se ç'është sot.

Edhe për jashtë ky ndryshim do të ketë efekt pozitiv; pse, po të vendoset në krye të kësaj ministrie ndonjë shok nga të ushtrisë, do të ketë plot thashetheme, ndërsa me vajtjen e Kryeministrit atje, të gjitha këto do të marrin fund, pse të tërë do të jenë të bindur se kështu forcohet ushtria. Kjo masë i përgjigjet dhe dëshirës së zjarrtë të Partisë.

Spekulime armiqtë do të bëjnë, jemi të sigurt, sepse kur hiqet njeri nga të tilla poste, ka përçarje thonë, por neve tymi të na shkojë drejt, se me komente jemi mësuar. Këtë mendim kisha unë. Jeni dakord me të?
Anëtarët e Byrosë: njëzëri shprehen dakord.

Enver Hoxha: -E dyta (vazhdon diskutimi), jeni dakord që Beqiri të shkarkohet si anëtar i Byrosë Politike, si anëtar i Këshillit të Mbrojtjes, si zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes Popullore dhe çështja t'i paraqitet në kohën më të afërt Plenumit të Komitetit Qendror?...
Anëtarët e Byrosë: njëzëri shprehen dakord.

Enver Hoxha:- ... Propozoj gjithashtu që në ministri të sjellim disa kuadro relativisht të rinj, sidomos në Shtabin e Përgjithshëm, qoftë për detyrën e Shefit të Shtatmadhorisë dhe për ndonjë tjetër, në mënyrë që puna në ushtri të forcohet. Jeni dakord me këto propozime?

Anëtarët e Byrosë: njëzëri shprehen dakord.
Enver Hoxha:- Propozimi i fundit që kisha, është që të ngarkojmë shokun Mehmet dhe shokun Hysni të përgatiten për t'i paraqitur këtë analizë kuadrove kryesore të Ushtrisë nga brigadë e lart, në frymën që u shtrua këtu, në Byronë Politike.

Mehmet Shehu:- Për anëtarët e Plenumit mund të mos shpërndajmë ndonjë material, shokët, mendoj të vijnë të gjithë këtu në aparatin e Komitetit Qendror për ta lexuar këtë, një ose dy ditë para mbledhjes, pa qenë nevoja të bëhet një raport i veçantë.
Enver Hoxha:- Atëherë të bëhet gati sa më parë e gjithë kjo punë.

Vetëm se ka një çështje, që duhet menduar lidhur me masat që marrim kundër Beqirit. Duhet më parë që këto masa t'ia komunikojmë Plenumit të Komitetit Qendror, sesa kuadrove të ushtrisë.

Prandaj në aktivin e ushtrisë, ku duhet të asistojë dhe Beqiri, ti shoku Mehmet mund të thuash se Byroja Politike ka marrë gjithashtu një sërë masash, të cilat, sipas rregullit, do t'ia rekomandojmë Plenumit të Komitetit Qendror për aprovim, natyrisht pa folur për çfarë masash është fjala.

Këto, në kohën e caktuar, do t'i komunikohen dhe ushtrisë. Ne shpresojmë që Beqiri do të bëjë autokritikë para shokëve, do të bëjë kthesë që të ndreqet. Këtë e themi me plot sinqeritet.

Mehmet Shehu:- Do të ishte e dëshirueshme që shoku Beqir të asistonte në mbledhjen e kuadrove të ushtrisë, mendoj unë.

Enver Hoxha:- Edhe unë ashtu mendoj, patjetër që duhet të asistojë. Pra, kështu të veprojmë për këtë çështje.

Duke marrë parasysh që kjo çështje ka lidhje me detyrat shtetërore që ka Beqiri, ti shoku Mehmet, aktivit të ushtrisë mund t'i komunikosh gjithashtu se derisa të marrë vendimin përkatës Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, Byroja Politike e ka pezulluar shokun Beqir nga detyra e anëtarit të Këshillit të Mbrojtjes, e zëvendëskryetarit të Qeverisë dhe e ministrit të Mbrojtjes dhe t'i vetë si Kryeministër, je ngarkuar me detyrën e ministrit të Mbrojtjes "adinterim". Si thoni shokë, jeni dakord?
Anëtarët e Byrosë: njëzëri shprehen dakord.

Mehmet Shehu:- Unë jam dakord si me diskutimet e shokëve të Byrosë Politike, ashtu dhe me të gjitha propozimet tuaja shoku Enver, duke përfshirë dhe atë, që të marr detyrën e ministrit "adinterim" të Mbrojtje.
(Vijon)