Schrapel, T, Pandelejmoni, E, Pinari, (eds.). Thirrja për Liri. Studime mbi totalitarizmin dhe tranzicionin në Shqipëri” (The Call for Freedom. Studies on Totalitarianism and Transition in Albania) (original) (raw)

Botimet e këtij vëllimi janë rezultat i konferencës shkencore «Thirrja për liri» 25 Vite të Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, mbajtur në Tiranë, më 6 Nëntor, 2016 e organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer në Tiranë në bashkëpunim me Departamentin e Historisë së Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, UT së. Idea e bashkëpunimit midis Fondacionit Konrad Adenauer në Shqipëri dhe Departamentit të Historisë pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë erdhi si rezultat i përpjekjes për të përkujtuar 25 vjetorin e Lëvizjes Demnokratike në Shqipëri dhe për të prezantuar studimet e fundit mbi komunizmin dhe tranzicionin të kryera nga studiuesë dhe historianët shqiptarë. Në këto 25 vjet “demokraci” një nga problemet më të mëdha që është hasur në studimet të karakterit historik ka qenë hulumtimi shkencor i periudhës komuniste nga pozitat e një shkence të pa-ideologjizuar dhe objektive. Një mungesë tjetër ka qenë dhe përjashtimi nga hulumtimi shkencor i tematikave sociale dhe kulturore mbi periudhën e komunizmit. Kryesisht periudha komuniste është analizuar nga problematikat politike dhe fetare, por jo aq shumë nga aspektet e tjera. Deri më sot mbizotërojnë histori “elitare” kryesisht të personazheve kryesore politike të periudhës komuniste, një “histori nga lart poshtë”, ku janë përjashtuar fenomene dhe grupime të rëndësishme të jetës sociale, të jetës së përditshme, marrëdhënieve gjinore, të drejtave të njeriut, marrëdhënieve me jashtë apo botës së artit. Për më tepër kjo konferencë ishte një perpjekje për të hedhur dritë dhe mbi problematikat aktuale të periudhës post-komuniste. Një tjetër qëllim ishte dhe ofrimi i qasjeve të reja të studiuesve të huaj mbi tematikën qëndrore të stalinizmit dhe impaktit të tij në Europën e Luftës së Ftohtë, si edhe aplikimi i kësaj ideologjie në variantin shqiptar gjatë periudhës së viteve 1945-1990. Qasjet e reja ndaj stalinizmit po tërheqin gjithmonë e më shumë vemendjen e studiuesve shqiptarë dhe elemente të ndryshëm të këtij sistemi po bëhen gjithmonë e më shpesh objekt studimi të monografive apo doktoraturave të reja në Shqipëri, por jo vetëm. Artikujt e këtij botimi janë grupuar në tre tematika qëndrore: a) Stalinizmi dhe komunizmi në Shqipëri; b) Hulumtimet shqitare mbi komunizmin dhe c) Shqipëria në tranzicion. Tek grupi i parë i tematikave, historiani gjerman në Felix Schnell në keynote- n1 e tij “Çfarë është Stalinizmi” trajton në vija të përgjithshme teoritë aktuale dhe gjendjen e literaturës shkencore mbi stalinizmin si dhe të këndvështrimeve të reja aktuale në kuadër të “cultural turn” mbi totalitarizmin apo stalinizmin në Bashkimin Sovjetik dhe ndikimin e tij në Europën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore. Schnell analizon elementet e stalinizmit të aplikuara në Bashkimin Sovjetik gjatë viteve ‘30-të të shek. XX. Në fund të keynote-t Schnell konkludon se stalinizmi është aplikuar vetëm në Bashkimin Sovjetik në formën e tij të plotë. Ndersa çdo variant tjetër i këtij modeli totalitar nuk është i krahasueshëm me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik. Studiuesi italian, Paolo Rago në artikullin e tij, “Linjat kryesore të komunizmit të Enver Hoxhës”, duke u bazuar në studimet multidisiplinore më të fundit mbi Shqipërinë komuniste të kryera nga studiues të ndryshëm të huaj dhe shqiptarë, paraqit një exposé të aplikimit të ideologjisë komuniste në Shqipëri. Sipas Rago-s figura kryesore dhe dominuese e aplikimit të kësaj ideologjie ishte lideri i Partisë Komuniste (më vonë të Punës), Enver Hoxha. Qasja e re që sjell Rago me këtë studim është trajtimi i periudhës nga një këndvështrim jo bardhë e zi, por duke prezantuar enverizmin në aspekte multidimensionale. Në përfundim Rago mendon se enverizmi u shfaq si një metodë komunikuese bindëse, për të bindur popullin për ta mbështetur në një “unitet të çeliktë” politikat e Partisë dhe të liderit të saj. Në grupin e dytë janë përfshirë artikuj që trajtojnë komunizmin shqiptar në elementë të ndryshëm të tij. Veçantia e këtij grupi artikujsh qëndron në faktin se studiuesit e këtij grupi janë të gjithë shqiptarë dhe me artikujt e tyre kanë sjellë këndvështrime të reja në trajtimin e tematikës së komunizmit, e cila deri më sot pak është cekur në studimet shqiptare. Kështu, studiuesi Petrit Nathanaili ka analizuar tendencat kryesore të politikës së jashtme të shtetit komunist duke shpjeguar arsyet e orientimit lindor të aleancave strategjike të Shqipërisë. Këto aleanca, ndonëse me mjaft rëndësi për një shtet të vogël si Shqipëria, janë ndryshuar brenda një periudhe shumë të shkurtër kohe, gjë që dëshmon si për kërkimin e sigurisë tek një aletat i fuqishëm, ashtu edhe dobësinë ekonomike që çon edhe në varësi politike. Vitet kur një pjesë e elitës politike shqiptare mendoi se vendi mund të mbijetonte si një shtet i pavarur pa mbrojtjen e ndonjë fuqie të madhe pas prishjes me Kinën patën një kosto mjaft të lartë për Shqipërinë. Studiuesja Sonila Boçi në artikullin e saj ka sjellë një qasje të re lidhur me presionet e Perëndimit mbi çështjen e respektimit të drejtave të njeriut nga shteti komunist shqiptar, sidomos pas nënshkrimit të Kartës së Helsinikit në vitit 1975. Megjithëse Shqipëria nuk e kishte nënshkruar këtë dokument, në fillim e viteve ’80-të u vu re rritja e presionit ndërkombëtar ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri duke qenë se ishin lehtësuar procedurat për shqyrtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në OKB. Ankesat e para ndaj Shqipërisë në OKB u iniciuan nga lobi grek në Sh.B.A dhe nëpërmjet disa letrave dërguar OKB-së në vitet 1982-83 ku veçohej shkelja e të drejtave ndaj minoriteti grek në Shqipëri. Qeveria shqiptare refuzoi për një kohë të gjatë të reagonte dhe më në fund në 1989, nuk pranoi asnjë prej akuzave të ngritura prej saj, por u detyrua në vitin 1990 pas vizitës së të dërguarit të OKB-së Pérez de Cuéllar dhe ndryshimeve të mëdha në Evropën Lindore që të të ndryshonte Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në përputhje me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ndërsa studiuesi Gëzim Qëndro në artikullin e tij mbi Aurorën kripto-teologjike te trupit politik ofron nje qasje post-strukturaliste të kuptimit të trupit politik në aktualitetin shqiptar përmes krahasimit dhe analizës së dy pikturave, asaj të piktorit italian Caravaggio me titull, Mosbesimi i Shën Thomait (1603) me pikturën Vizitë në Plagë (2010), të piktorit shqiptar, Enkelejd Zonjës. Idea kryesore që Qëndro paraqet në artikullin e tij formësohet nëpërmjet përgjigjeve të pyetjeve të ndryshme që autori ngre në shkrim, si psh, a përbën vërtet paradoks zëvendësimi në tablo i Jezu Krishtit të ringjallur pas kryqëzimit me diktarorin komunist shqiptar Enver Hoxhën? A mund të ketë ndonjë aura teologjike trupi politik i Enver Hoxhës? Cili mund të jetë kuptimi i “ringjalljes” së tij në kohën e sotme? Kush mund të jetë roli i metafizikës së pranisë në statusin që ka marrë Enveri në këtë tablo? Studiuesja Irida Vorpsi ka marrë në analizë situatën e krijuar në Shqipëri gjatë zbatimit të të ashtuquajturit “revolucioni kulturor”, një model i marrë nga aleati i fundit i komunistëve shqiptarë, Kina. Në fokus të kërkimit të saj janë vendosur masat e marra në raport me emancipimin e gruas shqiptare si shkollimi, punësimi, marrëdhëniet familjare, eleminimi i elementëve tradiconalë, ndarjet krahinore. Por krahas nismave emanicipuese u vu re se gruaja shqiptare po vendosej gjithmonë e më shumë në qendër të kësaj spiraleje ideologjike duke synuar politizimin e çdo aspekti të jetës së saj duke reduktuar sferën private të jetës së gruas në një hiç dhe duke shtrirë ndikimin ideologjik të Partisë në kufijtë e të paimagjinueshmes. Duke dashur të tregojë edhe një anë tjetër të shoqërisë shqiptare gjatë komunizmit, studiuesi Artan Puto ka trajtuar filmin shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Ai ka prezanutuar një sërë karakteristikash të filmit duke sjellë edhe një periodizim në disa periudha, në varësi edhe të situatës politike të vendit. Ndikimi kryesor i kinemasë shqiptare vinte nga Bashkimi Sovjetik për një pjesë të mirë të periudhës dhe krahasimi mes dy kinemave asaj shqiptare me atë sovjetike pasqyron më së miri këtë realitet. Por pas prishjes me aleatët komunistë filmi shqiptar ndjek një rrugë të vetën të lidhur ngushtë me realizmin e ngurtë socialist të periudhës staliniste në arte dhe në kinema. Kinemaja shqiptare e kohës së komunizmit mbeti e mbërthyer pas realizmit socialist anakronik, si një kujtesë se Shqipëria ishte muzeu i vetëm i gjallë stalinist në Evropë. Një formë e artit pamor si karikatura është marrë në analizë nga studiuesi Andi Pinari, në harkun kohor të viteve 1965-70, të konsideruara si vitet e fillimi të revolucionit kulturor në Shqipëri. Nën ndikimin e përhershëm të propagandës politike, karikatura shqiptare, ndonëse përpiqej të bënte humor, ishte tërësissht në shërbim të regjimit. Vendin kryesor e zenë tematikat propagandiske kundër armiqëve të jashtëm dhe të brendshëm të Shqipërisë edhe në varësi të ngjarjeve të ditës. Por në kuadër të revolucionit kulturor ka edhe një numër të konsiderueshëm tematikash mbi problemet e brendshme si burokracia, pabarazia gjinore, servilizmi, abuzimi me detyrën, tema të cilat u trajtuan shumë më me humor dhe “dashamirësi” sesa temat mbi armiqtë. Kjo zbutje kishte si qëllim të realizonte ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi dukuritë negative brenda saj me qëllim eleminimin e këtyre fenomenve nga vetë shoqëria. Në grupin e fundit të tematikave janë përmbledhur artikuj të studiuesve shqiptarë mbi fenomene të tranzicionit, duke u fokusuar së pari në aspektet politike, si dhe në studimet e fundit mbi tekstet historike dhe historinë nacionale shqiptare. Kështu studiuesi Afrim Krasniqi, më artikullin e tij mbi tranzicioni shqiptar reflekton problematikat kryesore të hasura në arenën politike në këto 25 vjet periudhë tranzicioni dhe përpjekjeje për konsolidimin e shtetit demokratik në Shqipëri. Sipas tij problemi kryesor me të cilin përballet sot shteti e shoqëria shqiptare është sfida e maturimit dem...