Polimorfologjia e kujtesës dhe historia. Politikat e kujtesës dhe rishikimi i historisë në Shqipërinë postkomuniste (original) (raw)

Historia dhe historiografia: refleksione mbi Shqipërinë e viteve 1945-1990, Afrim Krasniqi (ed) KAS Albania, Tiranë, 2023

Abstract

Rënia e sistemit totalitar komunist në vitin 1991, i cili kishte kontroll mbi të gjitha sferat e jetës në Shqipëri, preku natyrshëm edhe shkencat shoqërore dhe humane. Historia zyrtare ashtu si në vendet e tjera ish-komuniste të Europës Lindore, ka qenë pa dyshim një nga disiplinat më të ideologjizuara për shkak edhe të përdorimit ideologjik të saj për legjitimimin e regjimit komunist me pretendimin edhe të zotërimit të së vërtetës historike. Kështu, me rënien e sistemit të vjetër politik lindi nevoja edhe për të rishkruar, rimësuar historinë në shkolla, si dhe për të kujtuar të kaluarën historike nga dimensione të reja të një lirie politike dhe çlirimi ideologjik. Në Perëndim në vitet 1960-1970, në lëmin e historisë dhe të shkencave sociale u përdorën qasje të reja episteologjike dhe metodike, në kuadër të së ashtuquajturës “cultural turn” e “linguistic turn”, ku tashmë historia nuk fokusohej vetëm te politika dhe zhvillimet ekonomike, por edhe në qasje dhe metoda të tjera që kishin të bënin edhe me formimin e identitetit, analizën gjuhësore dhe rolin e kulturën dhe mënyrës se si e kaluara konceptohej apo kujtohej në aktualitet. Këto vite përkojnë me të ashtuquajturin fenomenin e lulëzimit të studimeve mbi kujtesën (memory boom), në qasjet historike mbi të kaluarën, si Lufta e Dytë Botërore, apo Holokausti. Në Europën Lindore këto qasje të reja mbi përdorimin e kujtesës në studimet historike ndodhën vetëm pas rënies së Murit të Berlinit, dhe rënies së komunizmit, ku përveç historisë politike, studimet mbi kujtesën morën një vëmendje të jashtëzakonshme. Ndërsa në Shqipëri, kryesisht këto lloj studimesh përkojnë me periudhën pas 2010-s, kur shteti shqiptar për herë të parë mori masa institucionale për të ngritur një institucion publik, që do të fokusohej te kujtesa dhe trajtimi i periudhës së komunizmit, siç ishte krijimi i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit dhe të Pasojave të tij (2010), për të vijuar më vonë me politika të tjera që kishin të bënin me kujtesën mbi periudhën e totalitarizmit komunist dhe me drejtësinë tranzitore. Ngritja e Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, apo politikat e tjera të kujtesës u zhvilluan paralelisht me një debat publik me tone të ndezuara mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar ballafaqoheshin me të kaluarën komuniste, si nga këndvështrimi i qasjeve historike, por dhe atyre të karakterit përkujtimor. Historianët kanë shfaqur interes të madh mbi studimin e kujtesës dhe mënyrës se si ajo ndikon mbi formimin e interpretimeve publike dhe dijeve mbi të shkuarën, por edhe mbi mënyrën se si kujtesa ndërton marrëdhënien e individit me të kaluarën. Megjithëse kujtesa kryesisht është diçka shumë personale dhe pjesë përbërëse e procesit konjitiv, që na karakterizon ne qeniet njerëzore, në këtë artikull do të trajtoj kryesisht format e ndryshme të kujtesës kulturore dhe lidhjen e saj me historinë dhe politikat e kujtesës sot në Shqipëri, nga qasjet publike apo zyrtare. Qëllimi i këtij artikulli do të jetë hulumtimi i politikave të kujtesës sot në Shqipëri dhe marrëdhënia midis kujtesës, historisë, që vihet re në politikat mbi të kaluarën e Shqipërisë gjatë regjimit komunist, dhe rishkrimin e historisë në një shtet posttotalitar. Qasja metodike do të jetë ajo e analizës krahasimore dhe cilësore e reformave institucionale për rishkrimin e teksteve të historisë, si dhe e politikave publike në ballafaqimin me të kaluarën totalitariste në Shqipëri. Debati publik mbi të kaluarën e komunizmit shqiptar, drejtësinë për krimet e kryera në të kaluarën, rishkrimin e historisë, nëtë cilin janë përfshirë fusha të ndryshme akademike si dhe shoqëria civile në përgjithësi, mundësohet edhe nga dokumentet dhe dëshmitë gojore apo arkivore, megjithëse i tërë diskursi publik nuk varet vetëm prej tyre. Megjithatë, shoqëritë jo gjithmonë zgjedhin të kujtojnë. Pikërisht synimi im në këtë artikull është pasqyrimi i konceptimit mbi kujtesën nga këndvështrimi teorik, si dhe trajtimi i së kaluarës komuniste në Shqipëri, bazuar në politikat e kujtesës dhe në debatet mbi raportin e historisë dhe kujtesës, në një vend posttotalitar si Shqipëria.

Enriketa Papa-Pandelejmoni hasn't uploaded this paper.

Let Enriketa know you want this paper to be uploaded.

Ask for this paper to be uploaded.