MIKROTOPONIMIA E KARSHIAKËS SË SHKUPIT (original) (raw)
2003
Mbledhjen e materialit toponimik e kam bërë gjatë kohës së shërbimit në Entin e Përparimit të Arsimit dhe Edukimit Parashkollor dhe Fillor të Qytetit të Shkupit. Si këshilltar pëdagogjik e kisha mundësinë të vizitoj çdo pikë të këtij rajoni për shumë herë. Me këtë rast kisha ndihmën e mësuesve të gjuhës shqipe dhe të fshatarëve. Në përpunimin e materialit kam shfrytëzuar edhe literaturë shkencore të autorëve të shumtë, ndër të cilët: Jovan Trifunovski, “Poreçieto na Kadina Reka”, Skopje, 1952; “Sliv Markove Reke”, Skopje, 1958; Jovan Haxhivasileviç, “Skoplje i njegova okolina”, Beograd, 1930; R. Nikoliç, “Shirenje arnauta u srpske zemlje”, GSND, Beograd, 1914; P. Jovanoviç, “Shpella Bozguni”, GSND, knjiga IV, Skoplje, 1928; Petar Skok, “Iz toponomastike Juzhne Srbije”, GSND, knjiga XV - XVI, Skoplje, 1936, si dhe Haki Ymeri, “E folmja shqipe e Karshiakës”, Shkup, 1998. Duhet pranuar se gjatë mbledhjes së materialit toponimik edhe përkundër angazhimit për regjistrim burimor të mikrotoponimeve mund të jenë përvjedhur edhe lëshime në mungesë të të dhënave për të paraqitur diç të saktë për etimologjinë e tyre. Vendbanimet janë shënuar ashtu siç emërtohen nga popullata shqiptare dhe veçmas nga ajo maqedonase. Në vendbanimet e banuara me popullsi të përzier materiali toponimik është regjistruar nga dy informatorë të kombësive të ndryshme (nga një shqiptar dhe një maqedonas). Punimi, përveç hyrjes, përmban katër kapituj. Në kapitullin e parë jepet historiku i shkurtër i rajonit dhe një pasqyrë e shkurtër e fshatrave të Karshiakës së Shkupit, numri i banorëve për çdo fshat veç e veç sipas strukturës kombëtare në bazë të regjistrimit të vitit 1981. Për historikun e vendbanimeve, përveç tjerash, janë shfrytëzuar edhe të dhëna nga regjistrimet e fshatrave të viteve 1544 dhe 1568 (Dokumentet turke të shekullit XV), të dhëna nga regjistrimet e vitit 1889 (Verkoviç, S. I. Topografiçesko etnografiçeski oçerka Makedonia, S. Peterburg, 1889) dhe të vitit 1900 (K'nçov V., Makedonia etnografia i statistika, Sofia, 1900). Në kapitullin e dytë është trajtuar aspekti teorik i klasifikimit të toponimeve të studiuesve të ndryshëm të toponimisë, veçanërisht të studiuesve me origjinë sllave. Gjithashtu, duke aplikuar metodën deskriptive, në këtë kapitull mikrotoponimet janë vështruar nga pikëpamja leksiko - semantike. Në këtë pjesë janë përfshirë oronimet, fjalë në përbërje të mikrotoponimeve që lidhen me mineralogjinë, me ujërat rjedhës, moçalet etj., me emra të bimëve (fitonime), me emra të kafshëve (zoonime), me emra të veprimtarive ekonomike, kulturore - historike të njeriut, me emra sendesh, me emra farefisnie, me etnonime, me emra të përveçëm dhe mikrotoponime sekondare. Në kapitullin e tretë mikrotoponimet janë vështruar nga pikëpamja strukturo - gramatikore, ndërsa në të katërtin vetëm nga aspekti gjuhësor. Rajoni i Karshiakës së Shkupit ka qenë i banuar që në kohën prehistorike, kohë kjo shumë e errët për mungesë dokumentesh, ndërsa periudha historike del më e qartë për shkak të pak dokumenteve që disponojmë. Në këtë periudhë rajonin në fjalë e kanë banuar dardanët me qendër Scupin (Shkupin e sotëm), i cili shtrihej në brigjet e lumenjve Vardar dhe Lepenc. Dardaninë me qendrën e saj Shkupin e pushtuan romakët në shekullin I p. e. Duke vështruar materialin mikrotoponimik të rajonit del në pah fakti i pamohueshëm se fjalët në përbërje të mikrotoponimeve si kodër, prroj, kroj, arë, shpat etj., nuk janë përkthime fjalë për fjalë nga gjuhët sllave, siç pohon onomastika sllave, por fjalë të gurës shqipe. Dokumentet e ruajtura nëpër manastire të ndryshme të Maqedonisë të shekullit XIV si dhe dokumentet turke të shekullit XV dëshmojnë për prani të elementit shqiptar në këto anë. Për këtë flasin mirëfilli toponimet: Alldincë (forma e drejtë Albince), ku ruhet trajta vllahe Albin e etnonimit shqiptar Alban; Barovë (shqipja sipas G. Majerit ka dhënë rrënjën bar, ndërsa gjuha sllave prapashtesën posesive - ovo); Albanajcat, Shullani, Balindolli etj. Sipas analizës së bërë në këtë punim në vendbanimet me popullsi shqiptare numri më i madh i mikrotoponimeve është i gurës shqipe, ndërsa në ato të banuara me popullsi maqedonase i asaj sllave. Pas kapitullit të katërt pason përmbyllja, në vijim literatura e shfrytëzuar dhe mandej fjalori mikrotoponimik. Dhe më në fund është paraqitur lista e emrave të informatorëve nga të cilët është regjistruar materiali mikrotoponimik.