Herbs Research Papers - Academia.edu (original) (raw)

Shqipëria karakterizohet nga një larmi e madhe biologjike dhe natyrore. Në veçanti, zonat malore të saj përfaqësojnë habitate të rëndësishme për llojet shtazore dhe bimore të rralla, disa prej të cilave gjenden vetëm në Shqipëri. Ato... more

Shqipëria karakterizohet nga një larmi e madhe biologjike dhe natyrore. Në veçanti, zonat malore të saj përfaqësojnë habitate të rëndësishme për llojet shtazore dhe bimore të rralla, disa prej të cilave gjenden vetëm në Shqipëri. Ato strehojnë një larmi të madhe bimësh dhe racash, të cilat kanë një potencial ekonomik që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht. Biodiversiteti po shkatërrohet gjithnjë e më shumë, kryesisht për shkak të veprimtarisë njerëzore, por edhe si rezultat i ndryshimeve klimatike, duke çuar në një fragmentim të mëtejshëm të habitateve, veçanërisht ato alpine. Trysnia për përdorimin e burimeve natyrore, si nga popullata vendore ashtu edhe sektori privat dhe investimet publike është mjaft e lartë. Administrimi i zonave të mbrojtura dhe përdorimi i qëndrueshëm i biodiversitetit nga aktorë publikë dhe privatë, ashtu edhe nga shoqëria civile në Shqipëri, nuk zbatohet në masën e duhur.
Bimët mjekësore dhe aromatike janë pjesë e atyre produkteve të biodiversitetit që mund të përdoren për përfitime ekonomike.
Kohët e fundit, sektori i bimëve mjekësore po udhëhiqet nga kërkesat e tregjeve ndërkombëtare dhe kombëtare. Situata nuk është aspak e konsoliduar pasi kërkesa po rritet, dhe për shkak të mungesës së njohurive, procesi i zinxhirit të produktit nga mbledhja në përpunim dhe shitje mund të çojë në produkte të pastandardizuara ose pasoja për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Me qëllim që të mbështetet ruajtja dhe mbrojtja e biodiversitetit për bimët mjekësore dhe aromatike, ekziston nevoja për të rritur njohuritë e atyre që janë të përfshirë në mbrojtjen, administrimin por edhe atyre që bëjnë pjesë në sektorin privat e që janë pjesë e zinxhirit të produktit.
Gjithashtu, është me rëndësi që të shtohen njohuritë e aktorëve lidhur me produktet, shpërndarjen gjeografike, karakteristikat, mbledhjen, përpunimin dhe kërkesat e tregut, me qëllim përmirësimin e zinxhirit të vlerës së bimëve mjekësore për të arritur një hyrje në treg dhe respektimin e standardeve të tij.
Ky botim përmban informacionin dhe njohuritë shkencore të lartpërmendura dhe është i nevojshëm për një game të gjerë aktorësh: mbledhësit e bimëve mjekësore dhe nxënësit që marrin pjesë gjatë sezonit të vjeljes si edhe administratën pyjore, e cila ka për detyrë të garantojë përdorimin e qëndrueshëm të barnave natyrore.
Formati, struktura dhe gjuha është përshtatur për grupet e synuara të përmendur më lart. Ajo përmban një pjesë të përgjithshme, me udhëzime të përgjithshme në lidhje me mbledhjen e bimëve mjekësore dhe aromatike, duke renditur standarte specifike në lidhje me higjenën dhe kushtet e punës. Këtu përfshihen edhe udhëzime për manipulimin e kujdesshëm të lëndës së parë që është potencialisht helmuese apo alergjike. Pjesa e përgjithshme shoqërohet edhe me citimin e legjislacionit vendas në fuqi për mbledhjen e bimëve mjekësore dhe aromatike si dhe standardeve ndërkombëtare të sektorit.
Në pjesën e dytë të botimit, atë të monografive të bimëve mjekësore e aromatike, struktura përmban emërtimin shkencore e vendor, një përshkrim të bimës, kryesisht botanik, i vlefshëm për vjelësit dhe përpunuesit me qëllim identifikimin e llojit. Përshkrimet e përdorura janë të qarta dhe të kuptueshme nga lexuesit. Lexuesi do të vërejë se përshkrimi është përmbledhur maksimalisht, me një stil shumë lakonik, që i përshtatet atij të një manuali.
Kujdes i veçantë i është kushtuar përshkrimit gjeografik, duke përcaktuar zonat e përhapjes, zonat fitoklimatike, lartësinë mbidetare, abundancën, vendndodhjet tipike (male, vargmale, lugina, etj. si dhe rrethet e lokalitetet përkatëse).
Statusi i kërcënimit është shënuar në rastin kur bima është e tillë, mbështetur në listën e kuqe sipas urdhrit të Ministrisë së Mjedisit.
Të dhënat autekologjike përshkruajnë kushtet e parapëlqyera për llojin në lidhje me dritën dhe tokën, siç është tekstura e tokës, shkëmbi amnor, pH dhe përmbajtja e ushqyesve, lagështia e tokës, temperature e ajrit, etj.
Biotopet, shoqërimet bimore, fitosociologjia është përshkruar mbështetur në përcaktimet dhe kriteret akademike.
Autorët janë përpjekur të vendosin foto ilustruese, të qarta për lexuesin dhe përdoruesin, të marra nga zona të ndryshme të Shqipërisë nga vetë autorët gjatë punës së tyre me grupet e vjelësve.
Për përgatitjen e monografive, veç përvojës së gjatë të autorëve në terren me vjelësit, përpunuesit dhe tregtuesit e bimëve mjekësore e aromatike, si dhe në trajnime të shumëta, është përdorur një literature e gjerë, vendase dhe e huaj, kryesisht shkencore, e cila është cituar në fund të botimit.
Broshura është botuar në gjuhën shqipe dhe angleze me qëllim që të shërbejë si një bazë e mire për përdorues ndërkombëtar dhe kombëtar.