2017: Viti i Kolapsit Energjetik - - Çohu (original) (raw)

Termocentrali Kosova A është shndërruar në një kafshatë që do të kapërdihet shumë vështirë, që madje mund t’u ngelë në fyt e që besa edhe t’ua sjellë trishtimin të gjithë atyre që do të vendosin për fatin e tij. Për këtë Termocentral, tashmë publikisht është e lejuar të flitet vetëm për mbylljen e tij në vitin 2017, dhe çdo gjë tjetër, që potencialisht ka të bëjë me mundësinë e jetësimit të tij përtej këtij viti, konsiderohet mollë e ndaluar.

Në një anë, institucione ndërkombëtare si Banka Botërore si dhe Zyra e BE-së në Kosovë, janë të vendosur që Termocentrali Kosova A të mbyllet deri në vitin 2017, madje ato kanë kërcëuar edhe me tërheqjen e garancisë për ndërtimin e termocentralit të ri, “Kosova e Re”. Qeveria e Kosovës, të paktën bazuar në Strategjinë për Energjinë dhe deklarimet publike, por edhe si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore, është po ashtu e vendosur që ta mbyllë TC Kosova A deri më 2017. Përderisa në KEK, së fundmi ka përpjekje për t’ia shtyrë jetën këtij Termocentrali deri në vitin 2020, të paktën deri sa të përfundojë ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike.

Duke qenë se ka pasur një shtyrje të vazhdueshme të realizimit të projekteve në energji në njërën anë, dhe zotim për mbylljen e atyre ekzistuese në anën tjetër, Kosova, bazuar në planifikimet dhe vendimet zyrtare, rrezikon të shkojë buzë një kolapsi energjetik. Më 2017, vendi do të përballet me një mungesë shumë të lartë të nevojës për energji. Mbyllja e TC Kosova A, por edhe futja në riparim e të paktën një blloku të TC Kosova B më 2018, do të përkthehet me një mungesë prej të paktën 3375. 5 GW/h energji elektrike. Por, po që se kësaj shifre i shtohet edhe rritja vjetore e kërkesës për energji, atëherë Kosova ka rrezik që nga viti 2017-18 të shpenzojë diku nga 120 deri mbi 200 milionë euro në import të energjisë për t’i përmbushur nevojat vjetore të vendit. Në këtë mes, përfituesit më të mëdhenj do të jenë kompanitë serbe, prej të cilave Kosova blenë energjinë e munguar.

Brenda këtij konteksti të ballafaqimit me problemin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe shmangies së shpenzimit të shumave të mëdha të parave në import, ka ndërhyrë një konzorcium amerikano-bullgar. Për konzorcium amerikano-bullgar,“Quantum-Risk Engineering LLC (QRE)”, TC Kosova A nuk konsiderohet një dinozaur, të cilit në horizont i shihet fundi i historisë. Për këtë konzorcium, TC Kosova A është mundësia ku duhet të kërkohet zgjidhja e furnizimit me energji të Kosovës, të paktën për periudhën afat-mesëm.

“Preportr”, ka siguruar disa dokumente në të cilat propozohet ngritje e kapaciteteve të reja energjetike në disa blloqe të TC Kosova A, si dhe modernizim total të disa prej blloqeve të tij. Këto dokumente, të paraqitura në formë të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) dhe Letrës së Interesit, flasin për dekomisionimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja në baza të njësive A1 dhe A2 të TC Kosova A, si dhe modernizim total të njësive A3-5.

Propozimi për investim në TC Kosova A është bërë nga një konzorcium amerikano-bullgar, “Quantum Risk Engineering LLC” - (QRE), i përbërë nga një fondacion amerikan, “Quantum Group”, i cili në mes tjerash menaxhon edhe pjesë të “Fondacionit Klinton”, si dhe kompanisë më të madhe bullgare në fushën e energjisë, “Risk Engineering, Ltd”.

Mirëpo, rreth propozimit të QRE-së, zyrtarë qeveritar nuk kanë dëshiruar të flasin duke i bishtnuar pyetjeve të “Preportr” dhe duke dhënë ose informata të mangëta ose kontradiktore. Zyra e BE-së në Kosovë e konsideron obligim të Qeverisë së Kosovës mbylljen e TC Kosova A, dhe për këtë zyrë, investimi në këtë Termocentral është “ekonomikisht jo i qëndrueshëm , nëse teknikisht i mundur”. Në Bankën Botërore ende ekziston shpresa se tenderi për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” nuk do të dështojë, por në rast të kundërt, drejtori i këtij institucioni thotë që tani për tani nuk ka plan B për sigurimin e furnizimit me energji.

Për dallim nga qasja e zyrtarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, për një pjesë të njohësve të fushës së energjisë në Kosovë, me të cilët “Preportr” ka biseduar dhe të cilëve u ka prezantuar edhe propozimin e QRE-së, ri-funksionalizimi i TC Kosova A teknikisht është i mundur dhe ide të tilla duhet të merren parasysh nga Qeveria e Kosovës. Mirëpo, për disa çështja e TC Kosova A tashmë duhet të jetë një kapitull i mbyllur dhe energjitë e Kosovës duhet të kanalizohen kah ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në lokacione të reja.

Rindërtimi-modernizimi i TC Kosova A

Bazuar në dokumentet e siguruara nga “Preportr”, konzorciumi QRE i propozon Qeverisë së Kosovës dekomisionimin e njësive A1 dhe A2 dhe investimin në rehabilitimin, ngritjen (upgrade) si dhe instalimin e njësive të reja energjetike me kapacitet optimal të prodhimit prej 200 MW, mbi bazamentin e këtyre dy njësive. Po ashtu, ky konzorcium ka propozuar edhe modernizimin e njësive A3-5, përmes ri-konstruktimit me qëllim rritjen e kapacitetit neto elektrik të tyre në 705 MW. Sipas MoU, pas gjithë këtij procesi, kapaciteti neto i TC Kosova A, do të ishte rreth 905 MW.

Konzorciumi ka paraparë formimin e një kompanie të re lokale e cila do të ishte edhe subjekt juridik i veçantë për Njësitë A1 dhe A2, e referuar në MoU si “NEWCO”. Në kuadër të këtij dokumenti, konzorciumi ka propozuar krijimin e një strukture të projektit për investime e cila është paraparë të ndërtohet përmes “Partneritetit Publiko-Privat”, si dhe i ka ofruar 20 % të aksioneve Qeverisë në këtë NEWCO, në mënyrë që disa asete, të drejta, leje, koncesione dhe resurse, të referuara si “asete”, që tash për tash mbahen nga Qeveria, të transferohen tek NEWCO.

“Preportr” ka biseduar me përfaqësues të këtij koncorziumi dhe sipas tyre i tërë ky investim në Termocentralin Kosova A, duke përfshirë të gjithë projektin në tërësi, është paraparë të financohet nga vetë koncorziumi QRE.

Për më shumë, ky Koncorzium ka propozuar që gjatë fazës së këtij procesi të ngritjes dhe rehabilitimit të ofrojë një sasi të tërësishme të energjisë (bulk) përmes importit që është ekuivalente me 100 MW të kapacitetit gjenerues në rrjetin nacional. Ky propozim, sipas MoU, bëhet në mënyrë që të minimizohet ndikimi i rënies së kapaciteteve gjatë kësaj faze të rinovimit.

Sipas këtij dokumenti, thuhet se i tërë ky proces pritet të kushtojë diku rreth 150 milionë euro për njësitë A1 dhe A2, përmes PPP-së, dhe diku 300 milionë pritet të kushtojë procesi i modernizimit të njësive A3-5. Në total, sipas propozimit të QRE-së, investimi pritet të kapë shumën prej 450 milionë eurosh duke bërë të mundur gjenerimin e 905 MW.

Në këtë MoU, propozohet që të nënshkruhet një kontratë (Power Purchase Agreement – PPA), në një kohëzgjatje prej 25 vitesh dhe atë, sipas MoU-së, me tarifa për energjinë që janë të pranueshme për QRE-në. Përveç kësaj, QRE ka kërkuar edhe një marrëveshje 40 vjeçare të sigurisë për furnizim me qymyr të njësive që janë nën operimin e QRE-së me një çmim fiks prej 8.35 dollarë për një metër kub qymyr të thatë .

Po ashtu, sipas MoU-së, parashihet edhe transferimi i lejeve ekzistuese apo edhe atyre të reja , të drejtave dhe koncesioneve për eksploatimin e mihjes së qymyrit dhe prodhimit të mihjeve të qymyrit, dhe ofrimi i këtij qymyri në sasi dhe cilësi të pranueshme tek njësitë që operohen nga QRE-ja.

Përmes MoU-së, propozohet që Qeveria e Kosovës të bëjë investime adekuate dhe të ndajë mjete për mirëmbajtjen e linjës së transmisionit nga Termocentrali tek rrjeti nacional dhe pastaj të investojë në ngritjen e linjës së transmisionit prej 400 kv me Shqipërinë në mënyrë që të ndihmojë fleksibilitetin e eksportimit të energjisë tepricë në Shqipëri dhe vende të tjera.

Me këtë investim, QRE parasheh që të respektohen kufizimet e BE-së për sa i përket emetimit të hirit, por edhe të respektohen standardet tjera të emetimeve.

Kolapsi i projektuar energjetik

Edhe pse qytetarët e Kosovës kanë fatin të jetojnë në njërin prej vendeve me rezervat më të mëdha të linjitit në botë, me rreth 12. 5 miliardë tonë, prej të cilave 10.9 të shfrytëzueshme, ata qe 12 vite nuk kanë pasur rastin asnjëherë të kenë një furnizim të rregullt e të qëndrueshëm me energji. Por kjo paqëndrueshmëri me furnizim të rregullt me energji ka mundësi t’i shoqërojë qytetarët e Kosovës të paktën deri në vitin 2020.

Kosova, si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit për Energji, ligjërisht është e detyruar që ta mbyllë TC Kosova A deri në vitin 2017, duke humbur kështu rreth 1740 GW/h energji.

Po ashtu, sipas planeve të parapara, pritet një ndërhyrje e gjerë në TC Kosova B në vitin 2018, për t’i plotësuar kërkesat ambientale dhe për ta përmirësuar efikasitetin e operimit dhe sigurisë. Kështu, vetëm nga mbyllja e TC Kosova A, si dhe nga ndërhyrja në të paktën të një blloku në TC Kosova B, vendi do të përballet me një mungesë bazë prej të paktën 3375. 5 GW/h energji elektrike.

Sipas studimit të Bankës Botërore: “Zhvillimi dhe vlerësimi i opsioneve për furnizim me energji elektrike në Kosovë”, duke shqyrtuar parashikimin preliminar të kërkesës në rastin bazë, llogaritet që kërkesa bazë për energji nga viti 2010 deri në vitin 2015 do të rritet për diku 1843 GW/h energji. Përderisa, KEK-u ka deklaruar për “Preportr” se rritja e konsumit të energjisë deri në vitin 2017 do të jetë rreth 640 GW/h.

Por, studimi i BB-së parasheh që në vitin 2017, Kosovës do t’i duhen diku mbi 7500 GW/h energji bazë për t’i përmbushur nevojat vendore, kërkesë e cila sipas këtij studimit në vitin 2020 pritet të rritet në 8819 GW/h, përderisa në vitin 2025 parashihet të rritet deri në 11,588 GW/h energji. Gjatë viti 2011, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prodhimi bruto i energjisë elektrike në TC në GW/h, ka qenë 5.621.0.

Studimi i BB-së, i cili bazohet në analizimin e bilancit mes furnizimit dhe kërkesës, tregon se deri në vitin 2017, Kosova ka nevojë për rreth 950 MW të kapaciteteve të reja dhe të qëndrueshme. Kjo nevojë rritet në rreth 1000 MW deri në vitin 2019, dhe në rreth 1500MW deri në vitin 2025.

Madje, ky parashikim i rritjes së kërkesës bazë për energji mund të quhet optimist, sepse mbështet shpresat në zvogëlimin e humbjet teknike nga 16.6% në viti 2010, në 8 % në vitin 2025. Përderisa, humbjet komerciale konsiderohen se do të zvogëlohen nga viti 2013 deri në viti 2018 në 5% nga 24 % sa konsiderohen të jenë tash. Në të kundërtën, kërkesa bazë për energji mund të jetë edhe më e lartë, varësisht nga zvogëlimi i humbjeve teknike dhe komerciale.

Këto parashikime mbi zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale të BB-së realisht janë më të mëdha se sa kushtet për zvogëlimin e këtyre humbjeve që Zyra e Rregullatorit të Energjisë dhe Minierave (ZRRE) i ka vendosur. Sipas kushteve të ZRRE-së, humbjet teknike dhe komerciale që duhet të zvogëlohen janë deri në 6 % deri në vitin 2014 dhe plus 5 % për tri vitet e ardhshme pas viti 2014.

Në të kundërtën, në rast se humbjet teknike dhe komerciale nuk do të mund të arrihen as sipas parashikimeve të BB-së, e as sipas kushteve të ZRRE-së, kërkesa bazë për energji mund të jetë edhe më e lartë se as ajo e parashikuar nga BB-ja, varësisht nga përqindja e zvogëlimit të këtyre humbjeve.

Në një trekëndësh të mundësive, për të vendosur rreth alternativave të zgjidhjes së problemit të furnizimit me energji, vendi rrezikon të shkojë, të paktën deri në vitin 2020, drejtë zgjedhjes më të rëndë, shpenzimin e shumave shumë të mëdha të parave në blerjen e energjisë.

Në një anë, mbyllja e TC Kosova A dhe futja në riparim e TC Kosova B, të shoqëruara edhe me rritjen e kërkesës për energji, rrjedhimisht do të përcillen me sasi të larta të importit. Sipas informatave të ofruara nga zyrtarët e KEK-ut gjatë një takimi me ZRRE-në, parashihet që vetëm gjatë viteve 2013-2017, Kosova të shpenzojë diku mes 351 milionë euro në blerjen e energjisë për t’i plotësuar nevojat e brendshme.

Një shumë përafërsisht e njëjtë e shpenzimeve, diku prej 300-400 milionë euro, sipas zëdhënësit të KEK-ut, pritet t’i kushtojë Kosovës blerja e energjisë, po që së TC Kosova A pushon së funksionuari në vitin 2017.

Kosova ka importuar energjinë me një çmim që ka lëvizur nga 30 deri në 113 euro për 1 MWh energji. Nëse merret që çmimi mesatar i importit të energjisë ka kushtuar diku rreth 60 euro për 1 MWh energji, atëherë vetëm nga mbyllja e TC Kosova A si dhe rritja e konsumit, që sipas KEK-ut deri në vitin 2017 rritja do të jetë 640 GW/h, e që bashkërisht përkthehen me një mungesë prej 2380 GW/h, Kosovës do t’i kushtoj diku mbi 140 milionë importi i energjisë. Por, po që se në vitin 2018, TC Kosova B futet në riparim, ashtu siç janë planifikimet, atëherë Kosovës do t’i mungojnë diku 4014.5 GW/h, e që përkthyer në shifra i bie që vendit do t’i duhet të importoj energji në vit diku mbi 240 milionë euro për t’i përmbushur nevojat e brendshme.

Në këtë kalkulim nuk merret parasysh edhe rritja vjetore e kërkesës për energji, e cila sipas KEK-ut sillet 4 %, përderisa rritja bruto e kërkesës për energji nga viti 2010 deri në vitin 2025, sipas BB-së në vit do të sillet rreth 4.6 %, gjë që do ta shtonte nevojën për energji dhe kështu koston e përgjithshme të importit të saj.

Kjo shumë kaq e madhe e parave për blerjen e energjisë vjen për shkak se, sipas parashikimeve më optimiste, Termocentrali “Kosova e Re”, do të mund të fillonte së ndërtuari tek në vitin 2014, një projekt për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike që zanafillën e ka në vitin 2005.

Sipas studimit të Bankës Botërore, koha për kryerjen e transaksionit, ndërtimin e termocentralit të ri, e deri tek lëshimi në funksion i kapaciteteve të reja energjetike, në skenarin më optimist, do të merrte diku rreth 5-6 vite, e që i bie që Kosova nuk mund ta ketë termocentralin e ri në dispozicion para vitit 2020.

Por, ndryshimet e vazhdueshme që janë duke ndodhur rreth ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, ka shumë mundësi të bëjnë që tenderi i tashëm për ndërtimin e projektit energjetik “Kosova e Re” të bie poshtë, dhe gjithçka që lidhet me ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike të nisë nga fillimi. Ky skenar mund të ndodhë sidomos pas vendimit për heqjen e TC Kosova B nga pakoja tenderuese, duke qenë se ky veprim i ndryshon të gjithë parametrat e pakos tenderuese. Për më shumë, Qeveria është duke e shqyrtuar mundësinë e rritjes së kapaciteteve të TC “Kosova e Re”, nga projekti i tashëm i cili parasheh dy blloqe me nga 300 MW.

Mundësitë e dështimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” janë 50 me 50 dhe në rast të dështimit, duhet të ulemi dhe të bisedojmë nga e para rreth alternativave, nuk kemi plan B tani për tani Jan-Peter Olters, drejtor i Bankës Botërore në Kosovë

Sipas drejtorit të Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters, mundësia që tenderi i tanishëm për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”, të filloj nga e para janë 50 me 50. “Mundësitë e dështimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” janë 50 me 50 dhe në rast të dështimit, duhet të ulemi dhe të bisedojmë nga e para rreth alternativave, nuk kemi plan B tani për tani”, shprehet drejtori i BB për “Preportr”.

Në këtë horizont të rëndë parashikimi, përfituesit më të mëdhenj të kësaj situate do të jenë kompanitë serbe që eksportojnë energji në Kosovë. “Preportr” ka nxjerr përfitimet e kompanive serbe nga KEK-u dhe ka parë që vetëm nga fundi i viti 2007 deri në qershor të 2012, kompanitë serbe kanë përfituar afër 400 milionë euro nga shitja e energjisë por edhe nga tenderë të furnizimit me pajisje. Kompanitë serbe që më së shumti kanë përfituar nga furnizimi me energji janë: “Rudnap”, “EFT” dhe “Geni”, si furnizuese me energji, dhe kompania “IMK 14 Oktobar”, në bashkëpunim me kompaninë “Eco Trade”, si furnizuese ku më 2008 dhe atë vetëm nga një tender i shitjes dhe instalimit të shiritave transportues, kishin përfituar mbi 49 milionë euro. Në këta shirita transportues ishin investuar miliona euro, por që vazhdimisht kishin dështuar së funksionuari.

Hopa hopa luajmë topa

Përfaqësues të koncorziumit QRE, siç merr vesh “Preportr” nga korrespodencat e siguruara, kanë qenë në kontakt për më shumë se 6 muaj me përfaqësues të institucioneve të Kosovës për të shtyrë përpara propozimin e tyre për të investuar në TC Kosova A. Fillimisht, përfaqësuesit e QRE-së, u kanë dërguar letra dhe më pas edhe janë takuar me zv. kryeministrin e parë, Behgjet Pacollin dhe zv. kryeministren për ekonomi dhe ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, si dhe kanë takuar edhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe përfaqësuesit e KEK-ut, drejtorin Arben Gjukaj dhe drejtorin e operativës, Nijazi Thaqi. Këtyre zyrtarëve të qeverisë, përveç përfaqësuesve të KEK-ut, u është prezantuar Letra e Interesit (drejtuar Behxhet Pacollit) dhe MoU-ja me specifika rreth propozimit të tyre mbi investimin në TC Kosova A.

Pritja e propozim-idesë së QRE-së, nga ana e përfaqësueseve të institucioneve të Kosovës, ka rrëshqitur nga takimet premtuese që i janë bërë këtij propozimi në fillim, deri në një bllokadë hermetike dhe injorim total të përfaqësuesve dhe synimit të QRE-së për të investuar në TC Kosova A.

Mua përfaqësuesit e QRE-së ma kanë shkrehur pakënaqësinë rreth bllokadës që iu është bërë atyre nga ana e KEK-ut Minoza Kusari Lila, ministre -MTI

Madje, bazuar në intervistat e realizuara me ministren Mimoza Kusari-Lila dhe ministrin Besim Beqaj, propozimi i QRE-së nuk është shqyrtuar në detaje dhe ai asnjëherë nuk është diskutuar brenda kabinetit qeveritar. Ministrja Lila, pranon për “Preportr” se përfaqësuesit e konzorciumit QRE kanë shprehur pakënaqësinë me pritjen që iu është bërë atyre dhe me trajtimin e propozimit për të investuar në TC Kosova A. “Po, mua përfaqësuesit e QRE ma kanë shkrehur pakënaqësinë rreth bllokadës që iu është bërë atyre nga ana e KEK-ut dhe pamundësisë për të marrë informata mbi Termocentralin Kosova A”, shprehet Lila.

Nga korrespodenca e siguruar nga “Preportr” në mes ministres Lila dhe drejtorit të KEK-ut, shihet se ministrja i ka dërguar KEK-u një letër përmes së cilës shprehet interesi i QRE-së për të investuar në KEK. Por, letra kthyese, e nënshkruar nga drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, thotë që “KEK-u e vlerëson interesin e treguar nga kjo kompani për statusin aktual dhe të ardhshëm të TC Kosova A”. Por, sipas letrës, bashkëveprimi i KEK-ut me “këtë kompani dhe kompanitë tjera që mund të marrin pjesë në proceset e prokurimit lidhur me TC Kosova A është i kufizuar me të drejtën sipas kornizës së ligjit mbi prokurimin publik”, duke shtuar që, “KEK-u dëshiron që të sigurojë trajtim në mënyrë të barabartë për të gjithë ofertuesit e mundshëm si dhe të ofrojë nivelin e njëjtë të qasjes në informata dhe të dhëna”, thuhet në korrespodencën kthyese të drejtorit të KEK-ut.

Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj ka treguar që është takuar me përfaqësuesit e QRE-së, por atyre u ka bërë me dije që propozimi i tyre del jashtë vendim-marrjes së KEK-ut, dhe se për këtë çështje duhet të vendosë Qeveria.

Propozimi i QRE-së, del jashtë vendim-marrjes së KEK-ut Arben Gjukaj, drejtor i KEK-ut

Qëllimi i QRE, siç merr vesh “Preportr”, ka qenë që në vizitën e bërë KEK-ut, të marrin leje për fillimin e studimit të fizibilitetit për qëllime të realizimit të propozimit të tyre për të investuar në TC Kosova A. Me datë 15 mars, 16 inxhinierë të energjisë të QRE-së kishin ardhur në Kosovë për këtë qëllim. Siç i bëhet e ditur “Preportr”, nga takimi me drejtorin e KEK-ut, si dhe drejtorin e operativës, Nijazi Thaqin, përfaqësuesit e QRE-së, kishin marrë premtimin se do t’u lejohet qasja në KEK, për qëllime të studimit të fizibilitetit. Mirëpo, pas takimit, përfaqësuesit e QRE-së kishin marrë një telefonatë nga sekretarja e drejtorit të KEK-ut për t’u treguar rreth pamundësisë së përfaqësuesve të QRE-së për të pasur qasje në KEK.

Por, drejtori i KEK-ut, Gjukaj thotë që përfaqësuesve të QRE-së asnjëherë nuk iu është premtuar vizita në KEK për qëllime fizibiliteti, për shkak se këtë gjë KEK-u nuk ka të drejtë ta bëjë pa lejen paraprake të aksionarit, Qeverisë së Kosovës. Gjukaj, shprehet se ata asnjëherë nuk kanë marrë apo parë asnjë MoU rreth propozimit konkret të QRE-së për të investuar në TC Kosova A. “Ne në takim me dy përfaqësues të QRE-së, iu kemi propozuar që të marrin pjesë në tenderin për ri-aktivizimin e bllokut A2, por ne nuk kemi marrë apo parë asnjë propozim tjetër të QRE-së”.

Ne nuk e kemi shqyrtuar propozimin e QRE-së as brenda në ministri e as në kabinetin qeveritar duke qenë se ai propozim ka qenë jo ligjor Besim Beqaj, ministër-MZHE

Ministrja Lila, nuk ka dëshiruar që të shprehet edhe për mënyrën se si janë pritur përfaqësuesit e QRE-së nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, duke sugjeruar që për këtë çështje të bisedohet direkt me ministrin. “Preportr” ka realizuar një intervistë të shkurtër me ministrin Beqaj, dhe nga ky ka marrë konfirmimin se propozimi i QRE-së nuk është shqyrtuar asnjëherë as nga ai e as nga kabineti qeveritar duke qenë se, sipas tij, propozimi i tyre ka qenë jo ligjor. “Ne nuk e kemi shqyrtuar propozimin e QRE-së as brenda në ministri e as në kabinetin qeveritar duke qenë se ai propozim ka qenë jo ligjor”, shprehet Beqaj. Sipas ministrit Beqaj, propozimi i QRE-së ka qenë kundër Strategjisë së Energjisë së miratuar nga Kuvendi, si dhe ka qenë në kundërshtim me projektin për ri-aktivizimin e bllokut A2 nga ana e KEK-ut.

Sidoqoftë, ministri Beqaj ka refuzuar të përgjigjet, duke insistuar në jo-ligjshmërinë e propozimit të QRE-së, edhe në pyetjen nëse e ka analizuar ministria që ai drejton përmbajtjen e propozimit të QRE-së, si dhe nëse e ka krahasuar këtë propozim me projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” si dhe me procesin për ri-aktivizimin e bllokut A2, për t’i parë përparësitë dhe mangësitë e gjithsecilit projekt.

Madje edhe vet ministrja Lila, e cila ka qenë e përfshirë gjatë gjithë kohës prej se QRE-ja është interesuar për të investuar në TC Kosova A, ka pranuar që propozimi i tyre, edhe pse për nga natyra hynë brenda domenit të vendim-marrjes së Qeverisë dhe Parlamentit, nuk është diskutuar asnjëherë brenda kabinetit të Qeverisë. Po ashtu, ministrja Lila ka pranuar që propozimit të QRE-së, nuk i është bërë një analizim i hollësishëm për t’i parë përparësitë dhe mangësitë e tij, por është mjaftuar me konkludimin se: “propozimi ishte i mirë”.

“Preportr” u ka dërguar pyetje edhe zyrës së kryeministrit për të parë se a ka qenë kryeministri i njoftuar me këto takime në mes përfaqësuesve të Qeverisë dhe atyre të QRE-së, si dhe a ka njohuri me detajet e propozimit të QRE-së. Deri më tani, “Preportr”, nuk ka marrë asnjë informatë nga zyra e kryeministrit rreth pyetjeve të dërguara. Njëjtë ka vepruar edhe zyra e zv. kryeministrit të parë, Behgjet Pacolli, duke injoruar kërkesën e “Preportr” për t’u përgjigjur rreth takimeve me përfaqësues të QRE-së dhe propozimit të tyre.

Sidoqoftë, “Preportr” ka parë që gjatë fazës së fundit të këtyre takimeve në mes përfaqësuesve të QRE-së dhe atyre të Qeverisë, kryeministri Thaqi, së bashku edhe me zv. kryeministrin e parë Behgjet Pacolli, pas një vizite në Turqi, kthehen e takohen me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov. Nga komunikata e lëshuar nga zyra e kryeministrit shihet se takimi është fokusuar në investimet e jashtme në Kosovë dhe në bashkëpunimin në mes të dy shteteve në fushën e ekonomisë. Por, “Preportr” nuk ka marrë asnjë përgjigje rreth faktit nëse kryeministri Thaqi, gjatë këtij takimi me kryeministrin bullgar ka folur edhe për interesimin e koncorziumit, “Quantum Risk Engineering LLC”, për të investuar në TC Kosova A.

Dinozauri apo nusja e re!?

TC Kosova A, i ndërtuar nga sovjetikët në vitet e 60-70-ta, konsiderohet si njëri prej ndotësve më të mëdhenj të ambientit në Kosovë, megjithëse kapacitetet e plota të tij ka kohë që nuk shfrytëzohen. Marrë së bashku, Termocentrali Kosova A dhe B, harxhojnë diku 7 milionë ton thëngjill në vit brenda një komune me përafërsisht 22.000 mijë banorë, ku rreth 30% e tyre konsiderohet se kanë probleme me sëmundje kronike të frymëmarrjes.

Njëra prej çështjeve më të ndjeshme që e ka përshkuar të gjithë rrjedhën e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë ka qenë edhe lokacioni i ndërtimit të këtyre kapaciteteve.

Disa prej njohësve të fushës së energjisë në Kosovë, me të cilët “Preportr’ ka biseduar, ideja për t’i ngritur kapacitetet e reja energjetike mbi bazat e TC Kosova A, i ka ndarë në dysh.

Një investim i tillë do të nënkuptonte shfrytëzimin e hapësirës së kontaminuar si dhe shfrytëzimin e një infrastrukture që ekziston Avni Kurshumliu, njohës i fushës së energjisë

Avni Kurshumliu, njëri prej përkrahësve më të zëshëm që kapacitetet e reja energjetike të ndërtohen mbi bazamente të TC Kosova A, thotë që një investim i tillë do t’i kishte dy efekte. Në një anë, sipas tij, vendosja e kapaciteteve të reja energjetike mbi bazamentet e TC Kosova A do të nënkuptonte shfrytëzimin e një sipërfaqeje tashmë të kontaminuar. Për Kurshumliun, është shumë më e dobishme që kapacitetet e ardhshme energjetike të mos vendosen për t’u ndërtuar në një sipërfaqe të gjelbër, por së pari të shfrytëzohet hapësira e TC Kosova A. “Kjo do të kishte edhe një përparësi tjetër pasi që ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike mbi themelet e TC Kosova A do të nënkuptonte edhe shfrytëzimin e një infrastrukture e cila ekziston aty”, thotë Kurshumliu.

Sipas vlerësimeve të përgjithshme, llogaritet që 1 MW ndërtim i ri i kapaciteteve energjetike të kushtoj diku rreth 1 milion euro. Kjo i bie që Termocentrali i ri “Kosova e Re”, i cili sipas parashikimeve të tanishme do të ketë kapacitet 300 + 300 MW, pritet të kushtoj të paktën 1 miliard euro, duke llogaritur të gjithë infrastrukturën deri në lëshimin e tij në funksion.

Në anën tjetër, propozimi i QRE-së rreth investimit në TC Kosova A ka paraparë që investimi total në këtë termocentral të jetë diku rreth 450 milionë euro, por që ky investim do të mundësonte kapacitete të instaluara prej 905 MW.

Njohës të fushës së energjisë, si Bashkim Gjurgjeala e Avni Kurshumliu, pranojnë për “Preportr” se mundësia e ndërtimit të kapaciteteve të reja mbi themelet e njësive A1 dhe A2 praktikisht është e mundur. Po ashtu, ata pranojnë se edhe modernizimi total i njësive A3-5, teknikisht është i mundur duke qenë se ajo teknologji gjendet në treg.

Me gjithë presionin e importit, ideja për ndërtimin e kapaciteteve të reja mbi TC Kosova A, në planin afatgjatë, nuk është e leverdishme për Kosovën Luan Shllaku, drejtor i KFOS

Në anën tjetër, Luan Shllaku, drejtor i Fondacionit KFOS, është kundër çfarëdo ideje të ndërtimit të kapaciteteve të reja mbi TC Kosova A. Për Shllakun, ideja e QRE-së ka tri probleme themelore. E para, sipas tij ka të bëjë me lokacionin, ku sipas tij, TC Kosova A është shumë afër kryeqytetit dhe vepron brenda një rrethi ku veprojnë mbi 500 mijë njerëz. E dyta, sipas tij, ka të bëjë me çështje të legalitetit të propozimit, duke qenë se Kosova nuk mund të hyjë në një marrëdhënie të tillë me këtë kompani. Si dhe e treta, ka të bëjë me obligimin ligjor të Kosovës si nënshkruese e Traktatit të Komunitetit për Energji dhe pamundësisë së përmbushjes së shumë pikave që dalin nga ky traktat. “Me gjithë presionin e importit, ideja për ndërtimin e kapaciteteve të reja mbi TC Kosova A, në planin afatgjatë, nuk është e leverdishme për Kosovën”, shprehet Shllaku.

Një Memorandum të Mirëkuptimit rreth bashkëpunimit strategjik në sektorin e energjisë e ka nënshkruar Serbia me kompaninë gjermane RWE. Ky Memorandum parasheh zhvillimin dhe përmirësimin e termocentraleve ekzistuese të energjisë si dhe planifikimin, ndërtimin dhe operimin e termocentraleve të reja. MoU-ja parasheh një periudhe prej 9 muajve të studimit me qëllim të bërjes së një vlerësimi të plotë teknik dhe ekonomik të termocentraleve ekzistuese në Serbi. Pas kësaj faze, parashihet një marrëveshje e bashkëpunimit e cila do t’i specifikoj detajet e projektit dhe përgjegjësitë e partnerëve strategjik.

Për zyrën e BE-së në Kosovë, mbyllja e TC Kosova A është obligim ligjor, duke qenë se Kosova është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore. Për këtë Zyrë, çdo investim në Termocentralin Kosova A, për ta bërë në përputhje me standardet ambientale të BE-së, nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm nëse teknikisht i mundur”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së për “Preportr”.

Në tërë historinë e tij, që prej themelimit, Traktati i Komunitetit të Energjisë për Evropën Juglindore është shkelur disa herë nga Serbia, por deri më tani ende nuk ka ndonjë penalizim për këtë shtet. Letra e fundit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dërguar Sekretariatit të Komunitetit për Energji, kërkon futjen në agjendën e diskutimit në Këshillin Ministror të ankesave të Operatorit të Transmisionit të Energjisë (KOSTT) rreth dështimeve të Serbisë për t’i përmbushur obligimet e saja të dala nga Traktati për Energji.

Brenda një skenari të dështimit të mundshëm të ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike para 2020, vendi rrezikon të shkoj buzë një kolapsi të projektuar energjetik në vitin 2017. Ngurtësia dhe refuzimi i faktorëve vendim-marrës për t’i shqyrtuar opsionet më optimale të zgjidhjes së problemit të furnizimit të qëndrueshëm me energji, dhe me një kosto të përballueshme, ka çuar vendin në varësi permanente ndaj kompanive serbe të importit të energji. Ky rrugëtim i varësisë së qytetarëve të Kosovës nga kompanitë serbe të importit të energjisë rrezikon të vazhdoj edhe më tutje, kryesisht për faktin se politika vendore, në asnjë rast, nuk ka pasur në pronësi të saj vendimet strategjike në sektorin e energjisë.